Durrës, gjendet një foshnjë në plehra
Fëmija u gjet nga disa fëmijë që më pas thirrën edhe prindërit e tyre, të tmerruar nga skena që panë
DURRËS - Në ditën e Krishtlindjeve një ngjarje e rëndë ndodhi në periferi te qytetit të Durrësit. Peshës së varfërisë së kësaj periferie ku me dhjetëra fëmijë e gra nxjerrin bukën e gojës nga plehrat duke përzgjedhur mbeturinat e hedhura nga kamionet e ndërmarrjes së Pastrim-Gjelbërimit të qytetit, iu shtua një ngjarje që la shije të trishtuar tek fukarenjtë që punonin në plehra, por edhe që u përcoll me keqardhje në opinionin e qytetit. Një grup fëmijësh dhe grash që banojnë në afërsi të vendgrumbulliit të plehrave në zonën e Porto Romanos gjatë procesit të përditshëm të kalvarit të mundimshëm për të siguruar bukën e gojës në procesin e egër të mbijetesës janë befasuar kur në hedhurinat e sjella gjatë mëngjesit kanë gjetur edhe një trup lakuriq fëmije të vdekur. Skena ka qenë tepër e rëndë dhe gratë që u thirrën nga fëmijët që po gërmonin në plehra i kanë larguar për të mos qenë më tej prezentë në atë skenë të neveritshme për shikimet e vogëlushëve të varfër. Ata e morën me kujdes kufomën e foshnjës së porsalindur dhe e futën në një kosh plastik mbeturinash pasi e mbështollën me disa nga leckat e gjetura në afërsi të trupit të foshnjës së hedhur. Pas kësaj u njoftua policia e cila erdhi me shpejtësi në vendngjarje për të bërë veprimet e duhura ligjore të domosdoshme për raste të tilla.
Gjetja e foshnjës
Megjithëse ditë feste, thanë disa prej grave që kishin qenë prezente kur u gjet fëmija, ne jemi te detyruara që të dalim për të siguruar bukën e gojës, por u ndodhëm para një të papriture të keqe kur fëmijët u trembën dhe na thirren për të parë se ç’kishin gjetur. Gratë na treguan më pas se si kishte ndodhur ecuria e gjetjes. Kamioni i parë që kishte sjellë plehrat e marra në koshat e qytetit të Durrësit, pasi kishte bërë shkarkimin e zakonshëm ishte larguar për t’u rimbushur në pikat e tjera. Në vendin e hedhjes së tyre traktori që i rrafshon ato hedhurina ka marrë me thikë plehrat për të shpërndarë grumbullin e sapokrijuar. Fëmijët që i rrinë pranë duke vëzhguar ndonjë objekt që ka vlerë për t’u kthyer në para panë se si thika e buldozerit ka marrë dhe ka hedhur anash një trup të vogël me tipare njerzore dhe kanë thërritur të alarmuar më të mëdhenjtë. Gratë kanë vrapuar në drejtim të vendit nga ku thirrën fëmijët, e kanë marrë objektin e gjetur dhe e kanë parë se fëmija ishte e seksit femër.
Hetimi
Sipas tyre kjo kufome fëmije mund të ishte mbetje spitalore e ndonjë fëmije që kishte lindur e vdekur dhe që nuk e kishin varrosur. Ekspertët e policisë që arritën në vendngjarje pasi morën rrethanat dhe bënë fotografimet e rastit e dërguan fëmijen e vdekur në morgun e spitalit per të bërë analizat e duhura shkencore, pasi sipas tyre, fëmija mund të ishte edhe mbetje spitalore, por edhe produkt i ndonjë aborti kriminal. Për këtë u muarën në pyetje shoferët që kanë sjellë plehrat për të percaktuar zonën se në cilat kosha mund të jenë marre mbeturinat së bashku me fëmijën e hedhur. Ditën e sotme pas analizave dhe procedurave ligjore do të dilet me konkluzionet e duhura.
Precedentët
Një rast i tillë ka ndodhur edhenë muajin shtator të vitit 2005. Kanë qënë oret e pasdites kur është njoftuar se në hedhurinat e Porto Romanos ështëgjetur një kufome femije. Pasi policia bëri hetimet e duhura rezultoi se ishte mbetje spitalore e një lindjeje të dështuar që ishte hedhur në koshin e plehrave të spitalit nga personeli shendetësor të cilët kishin përtuar për të bërë varrime të rregullta dhe i kishin rënë për shkurt duke i hedhur ato në plehra. Për këtë drejtoria e spitalit mori disa masa administrative kunder shkelësve të regullave të Spitalit, gabim që provokoi në opinion një indinjatë ndaj tyre.