Burrel, qendër profesionale për të rinjtë e braktisur
BURREL - Në shënimet e një ditarshënuesi matjan në muajt e vitit të mbrapshtë 1997, kur Burreli ishte kthyer në një “vaterlo” ku humbën jetën dhjetëra qytetarë kryesisht të rinj, ndër ngjarjet më të dhimbshme shënohet vrasja e një fëmije rom, thuajse në mes të sheshit. Në mes të shtënave, me gjithë arsenalin e armëve natë-ditë, një fëmijë rom 10-vjeçar po ecte rrugës me një copë bukë në gojë. Në lojën e tyre me armë, të pamëshirshmit, ata që ia vodhën lirinë Burrelit për muaj të tërë, bëjnë “shej” me armë pikërisht mbi këtë kërthi të pafajshëm, duke e qëlluar me disa plumba e për ta lënë për disa orë të përmbysur në pellgun e gjakut.
Kjo skenë është përshkruar dikund në një dokumentar që flet për Shqipërinë e ’97-s, ku si pikë referimi se çfarë ngjau në vendin ballkanas pa shtet, ishte marrë pikërisht Burreli. Vrasjet e atij viti bënë që dhjetëra fëmijë të mbesnin jetimë, shumë prej të cilëve mbushën rrugët si lypsarë në Tiranë a gjetkë, ashtu si dhe të tjerë u bënë objekt trafikimi nga organizata kriminale. Këto pamje të shfaqura në salla konferencash në shumë rajone të Zvicrës, nga shoqata Zviceriane SGF ngacmuan humanizmin e qindra shtetasve zvicerianë për të adresuar ndihma për fëmijët e braktisur e me probleme të theksuara sociale.
“Alternativa profesionale nr.3” në Burrel, është një nga projektet e “Shoqata në Dobi të Gruas Shqiptare”, financuar nga SGF zviceriane në të cilin është bërë një evidentim i përpiktë për adoleshentë dhe fëmijë në nevoja ekstreme ekonomike, duke krijuar një mjedis edukues për këtë shtresë të adoleshentëve dhe fëmijëve pa përkrahje. Thuajse tërë Burreli është dynduar për të parë ambientet e reja tek pallati i lojërave me dorë, që deri më dje ishin kthyer në gërmadhë.
Albina Lleshi, mësuese e biologjisë, e apasionuar pas punës me fëmijët në nevoja të thella sociale, na kalon në çdo ambient, duke qenë shumë e gëzuar se ajo ëndërr për të ndihmuar këtë kategori, që është jo e pakët në këtë qytet, u bë realitet, ndaj dhe kanë programuar gjithçka për të ecur mbarë. Janë shënuar 30 adoleshentët në nevojë të thellë ekonomike e probleme të theksuara sociale për të kaluar në sesionin e parë që përkon me 6 muaj studim intensiv dhe praktikë për profesione të tilla, si: rrobaqepës, kuzhinierë, informatikë. “Më vjen mirë, - thotë ajo, - që Burreli është projektuar si epiqendër për Veriun përsa i përket këtij aspekti shumë human dhe ne do të punojmë fort për ta justifikuar ndihmën. Janë përzgjedhur fëmijë jetimë, me prindër të divorcuar apo në vështirësi ekstreme ekonomike”.
Përfaqësuese e 8000 grave zviceriane në këtë aksion ndihme, Renata Boeni, presidente e SGF-së, thotë se “na ka bërë shumë përshtypje kur shihnim që rinia dhe fëmijët ekspozoheshin si kontigjentë të krimit pasi nuk kishin të punonin e si të jetonin”.
Një tjetër qendër interesante që financohet nga SGF-ja është dhe “Lulet e Mollës”, ku përveç ushqimit drekor falas, fëmijë në nevoja të theksuara sociale kalojnë në kurse të gjuhës së huaj, lojëra dhe veprimtari të shumta. Përgjegjësja Natasha Ballabani thotë se kanë kaluar familje për familje, duke njohur hallet e secilit, kanë parë e studiuar gjithë ata fëmijë që nuk iknin në shkollë, e që detyroheshin të lypnin rrugëve. Shumë prej fëmijve pasi vijnë këtu, i kthehen sërish shkollës, gjë të cilën na e pohojnë dhe vetë ata. Të përshëndesin në ikje, në shqip dhe anglisht, duke na uruar Krishtlindjet dhe Vitin e Ri.