E Diel, 1 Nëntor 2026

Durrës, gjykata lë në burg romët që shkaktuan masakrën në Nishtulla

Gjykata e Faktit në Durrës vendosi masën e sigurisë arrest në burg ndaj dy të arrestuarve nga Nish Tulla, Nazim Kalemi dhe Kujtim Meta për masakrën e para pak ditëve. Dy personat të përfshirë në një sherr mes dy familjeve rome hapën zjarr ndaj familjes rivale, duke gjakosur udhëtarët e autobusit të linjës Durrës-Sektori Rinia. Si rrjedhojë, shtetasi Bashkim Zhupi është në gjendje kritike pasi ka marrë një plumb në qafë, ndërsa dy pasagjerë të tjerë janë jashtë rrezikut për jetën. Prokuroria ka ngritur ndaj Kalemit dhe Metës akuzën e rëndë vrasje në rrethana, të cilësuara mbetur në tentativë dhe armëmbajtje pa leje parashikuar nga nenet 79/dh dhe 278/2  të Kodit Penal. Avokatët e dy familjeve rome kundërshtuan këtë akuzë, duke kërkuar vetëm gjykimin për armëmbajtje pa leje. Të dy të pandehurit nuk kanë deklaruar asgjë në sallën e gjyqit, duke mbështetur deklarimet që janë bërë nga avokatët e tyre. Avokatët kanë kërkuar një masë më të butë nga gjykata për klientët e tyre, e cila mund të ishte arrest shtëpie, por kjo nuk është pranuar nga gjykata. Ndërkohë që, Nazim Kalemi dhe Kujtim Meta po gjykohen, një tjetër person është shpallur në kërkim. Ai është 25- vjeçari R. Kalemi, i cilësuar nga drejtësia si një tjetër shkaktar i asaj ngjarje. Paralelisht me masën e sigurisë po kryhen edhe veprime të tjera hetimore. Policia shkencore ka dërguar në laborator dy armët automatike model 56, të cilat iu sekuestruan dy të arrestuarve Kujtim Meta dhe Nazim Kalemi. Hetuesit, gjithsesi ende nuk e kanë përcaktuar se cili nga dy automatikët kreu qitjen në drejtim të autobusit, duke shkaktuar masakër në radhët e pasagjerëve për shkak se të dyja armët kanë të njëjtin kalibër, 7.62 mm. Për të përcaktuar saktë armën, ato janë dërguar në laboratorin balistik në Tiranë. Ngjarja që ka ndodhur pasditen e së martës ka rezultuar tepër e rëndë për tre udhëtarët të autobusit, ndërkohë që janë plagosur edhe dy pjesëtarë të familjeve rome, nga të cilët njëri ishte në konflikt. Shtetasit Silvana Hasani 19 vjeçe, Albana Noci, 33 vjeçe, Suela Qemo 35 vjeçe, Dilaver Meta 33 vjeç si dhe Bashkim Zhupi 52 vjeç, i cili ka marrë 6 plumba në qafë, kanë qenë viktimat e përplasjeve midis dy familjeve rome. Dy prej tyre janë pjesë e komunitetit rom, Dilaver Meta 33 vjeç dhe Suela Qemo 35 vjeç, ndërsa tre të tjerët ishin pasagjerë në autobus. Objektivi në këtë atentat ka qenë pikërisht Dilaver Meta, një ngjarje që e ka zanafillën kohë më parë e pikërisht në janar 2008, kur Sajmir Kalemi ka qëlluar me kallash kundrejt Dile Metës 69 vjeçe dhe Ornela Metës 14 vjeçe, gjyshe dhe mbesë duke i lënë të dyja të plagosura në gjendje të rëndë. Edhe në atë kohë objektivi mendohet të kishte qenë pikërisht shtetasi Dilaver Meta, i cili banonte pikërisht në banesën ku dhe ndodhi plagosja e familjarëve të tij. Të martën atentatorët iu rikthyen sërish konfliktit të vjetër, por këtë herë përveç Metës kanë mbetur të plagosur edhe katër të tjerë persona të rastësishëm, nga të cilët njëri ka vdekur. Në të dyja anët e kësaj rruge banojnë familje rome, ndërkohë që në kohën që autobusi kalonte aty rastësisht, kishte filluar përplasja mes dy familjeve që ende nuk identifikohen nga policia. Zanafilla e sherrit që ka shkaktuar edhe plagosjet e janarit 2008, si dhe gjakderdhjen e së martës lidhej me vajzën e njërës prej familjeve që ishte ngacmuar nga djali i familjes tjetër. Hakmarrja e familjes së prekur në nder nuk ka të mbaruar dhe tashmë në momentin e parë, kur djali i cili ishte larguar me banim në Tiranë rikthehet në shtëpinë e tij të vjetër menjëherë është rihapur konflikti që ka shkaktuar tragjedinë tek persona të rastësishëm.
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›