Gjirokatër, policia bllokon 5 kg mariuanë
Një sasi droge e llojit marijuanë prej pesë kilogramësh, është kapur nga Policia e Gjirokastrës ndërkohë që transportuesi i saj është larguar në drejtim të paditur. Burimet zyrtare konfirmojnë për gazetën SOT se ngjarja ka ndodhur në orët e vona të mbrëmjes së të premtes në aksin rrugor Gjirokastër-Kakavije, në afërsi të fshatit Gorica.
Në orën 21:00 të mbrëmjes së premte nga ana e specialistëve të Sektorit të Luftës Kundër Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër, u arrit të zbulohej se një person po transportonte me krahë një thes në brendësi të të cilit kishte lëndë narkotike e llojit marijuana. Ky informacion i siguruar në rrugë operative prej policisë, u vërtetua plotësisht në momentin kur shtetasi që transportonte mallin narkotik, zbuloi se e ndiqnin uniformat blu. Në këtë moment personi në fjalë ka hedhur thesin së bashku me lëndën narkotike poshtë urës që ndodhet mes fshatit Terihat dhe Goricë rreth 10 km në jug të qytetit të Gjirokastrës. Njeriu misterioz ka përfituar nga errësira e natës dhe është zhdukur menjëherë duke braktisur marijuanën dhe larguar menjëherë me shpejtësi për ti shpëtuar kapjes së policisë ndërsa kjo e fundit ndonëse ka vijuar ndjekjen, nuk ka mundur ta kapë atë. Ndërkaq specialistët e Sektorit të Luftës Kundër Krimit të Organizuar, kanë bërë të mundur evidentimin e personit dhe po punohet për kapjen e tij. Në vendngjarje ka shkuar grupi hetimor i cili konstatoi se në thes kishte pesë pako 1 kg secila me marijuanë të mbështjella më letër ngjitëse ngjyrë kafe. Në cilësinë e provës materiale u bë sekuestroja e mallit narkotik ndërkohë materialet i kaluan organit të akuzës së Gjirokastrës për veprime të mëtejshme për veprën penale të prodhimit dhe shitjes së lëndeve narkotike.