Durrës, italiani hetohet për trafik makinash
Durrës- Ka nisur në Durrës procedimi penal për një shtetas italian, nën akuzën e trafikut të mjeteve motorike nga vendi fqinjë në vendin tonë. Lajmi është bërë i ditur nga seksioni Kundër Krimit Ekonomik e Financiar në drejtorinë e policisë së qarkut të Durrësit.
Sipas këtyre burimeve, Gioncarlo Felloni, 33 vjeç, me kombësi e shtetësi italiane do të procedohet penalisht në gjendje të lirë për veprën penale të kontrabandës me mallra me regjim të ndërmjetëm.
“Dyshohet se 33-vjeçari ka futur në vendin tonë përmes portit detar të Durrësit automjete të ndryshme, për të cilat nuk ka kryer veprime doganore, duke u justifikuar se do të dilte përsëri me to nga territori shqiptar”- thanë burimet.
Sot materialet proceduriale në ngarkim të tij, iu kaluan për hetime të mëtejshme Prokurorise së Rrethit Gjyqësor të Durresit.