E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bisedime për shtrirjen e EULEX në veri

Misionit të BE-së për sundim të ligjit do t'i rritet stafi me rreth 100 punonjës çdo javë, në mënyrë që të jetë funksional deri në fund të vitit. Deklarata është bërë nga zyrtarët e EULEX-it. Ndërkaq, gjykatësi gjerman, Klaus Jung, shprehet optimist se Mitrovica e sotme, që, sipas tij, i ngjan Berlinit të së shkuarës, do jetë një qytet i bashkuar.

Misioni i Bashkimit Evropian për sundim të ligjit dhe polici do të jetë operacional në tërë territorin e Kosovës. Kështu thonë udhëheqës të këtij misioni, të cilët shprehin bindjen se zbarkimi i plotë i EULEX-it do të përfundojë deri në fund të këtij viti.

Sidoqoftë e ardhmja e veprimeve të EULEX-it në pjesën veriore të Kosovës vazhdon të mbetet e paqartë, për shkak të rezistencës së vazhdueshme të banorëve serbë të veriut të Mitrovicës karshi këtij misioni.

Zëvendës shefi i EULEX-it, Roy Reeve, njofton se aktualisht janë duke u zhvilluar bisedime intensive për shtrirjen e EULEX-it në veri, por që fillimi i punëve atje, sipas tij, do të varet nga sinjalet e Beogradit zyrtar.

"Siç e dini, bisedimet po vazhdojnë, ato kanë filluar para dy muajsh dhe ato do të intensifikohen tani, ndërsa ne kemi filluar të ndërtojmë misionin. Bisedimet po zhvillohen ndërmjet Brukselit, Nju Jorkut dhe Beogradit gjatë gjithë kohës, kurse ne po bisedojmë edhe me njerëzit në terren gjithandej Kosovës, duke u shpjeguar atyre çka është EULEX-i, çka është ajo që ne shpresojmë ta arrijmë dhe ne shpresojmë se do të pranohemi nga popullata. Qëllimi ynë është të vendosemi në tërë Kosovën", tha Reeve.

Sinjali nga Beogradi, sipas numrit dy të EULEX-it, do të jetë i nevojshëm për të siguruar se gjatë shtrirjes në veri nuk do të lindin provokime shtesë, të cilat mund të pengonin qëllimin e misionit për të vepruar në atë pjesë.

Pjesëtarët e rinj të EULEX-it në Kosovë, pavarësisht informatave dhe qasjeve të ndryshme që kanë për situatën në vend, shprehen të gatshëm t'i marrin mbi vete detyrat që do t'u caktohen.

"Mendoj se në këtë kohë Mitrovica mund të krahasohet me kryeqytetin e Gjermanisë -Berlinin në të kaluarën, por dallimi qëndron në atë se Mitrovicën e ndan një lum, ndërsa Berlinin e ndante një mur. Në Gjermani ne ia kemi dalë dhe kemi krijuar një qytet të madh dhe ashtu do të jetë edhe me Mitrovicën", deklaroi Jung.

(REL)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›