E Diel, 1 Nëntor 2026

Durrës, kampionati i parë mbarëkombëtar i shahut, 70 nxënës nga 15 qytete në garë

DURRËS- 70 nxënës të moshave 10-15 vjeç, përfaqësues të shkollave nga 15 qytete të vendit si dhe nga Kosova, kanë konkuruar në kampionatin e parë mbarëkombëtar të shahut, që përfundoi mbrëmjen e kaluar në Durrës.

Veprimtaria, në të cilën morën pjesë shahistë të vegjël nga Saranda, Tirana, Durrësi, Kruja, Laçi, Shkodra, Delvina, Tepelena, Shijaku, Kavaja, Lushnja, Berati, Gramshi si dhe nga Deçani dhe Gjakova (Kosovë), u organizua nga Qendra kulturore e fëmijëve (QKF) e Durrësit, Federata e Shahut dhe shkolla "Turgut Ozal".

Përgjegjësi i sektorit të sporteve, Arjan Plaku, tha se në kampionatin e parë mbarëkombëtar të shahut, të ftuar nderi ishin dy shahistët e shquar shqiptarë, Fatos Muça, Mjeshtër ndërkombëtar dhe Erald Dervishi, Mjeshtër i Madh ndërkombëtar, të cilët e kanë nisur karrierën e tyre sportive si shahistë të vegjël në qytetin e Durrësit. Ndërkaq takimet u drejtuan nga tre Mjeshtrat e FIDE-s, Harallamb Boshku, Shkëlqim Çela dhe Lorenc Rama, të cilët formuan edhe gjyqtarinë e kampionatit.

Sipas organizatorëve, nxënësit u ndanë në tre kategori të mëdha sipas grupmoshave. Vajzat dhe djemtë konkuruan të ndarë në grupe të veçanta, tha përgjegjësi i sektorit të sporteve, sipas të cilit, përgatitja e mirë teorike dhe shpirti i garës karakterizuan ndeshjet e zhvilluara në mjediset e shkollës "Turgut Ozal".

Në vendet e para për tre kategoritë e grupmoshave për vajza u shpallën kampione Fiona Koçi nga Saranda, Suzana Kërçiku nga Tirana dhe Olta Caka nga Tirana, ndërsa vendet e para në tre grupmoshat e djemve i fituan Zino Veleshnja nga Berati, Kevi Spaho nga Tirana dhe Erdis Halui nga Shkodra. Mjaft mirë u paraqitën edhe djemtë shahistë nga Deçani (Kosovë), të cilët fituan përkatësisht vendin e dytë dhe të tretë në moshat deri 13 dhe deri 15 vjeç.

Rezultatet përfundimtare të kampionatit u shpallën gjatë një ceremonie që u zhvillua në mjediset e QKF në qytetin e Durrësit.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›