E Diel, 1 Nëntor 2026

Durrës, kapen 2 adoleshentë nga policia

DURRES-Dy adoleshentë janë arrestuar gjatë 24 orëve të fundit nga policia e Durrësit.
Policia e Durrësit arrestoi mbrëmë një 17 vjeçar, i cili dyshohet të jetë autor i tentativës së vrasjes me pistoletë pranë pallatit të kulturës së qytetit bregdetar. "Ngjarja e rëndë në të cilën mbeti i plagosur rëndë një 18-vjeçar ndodhi mbrëmë rreth orës 19.00 kur 17-vjeçari Z. M., lindur dhe banues në lagjen 11, plagosi me armë zjarri në gjoks bashkëmoshatarin e tij Besart Islamaj, i cili ndodhet në spitalin rajonal të Durrësit", bënë të ditur burime të policisë së qarkut të Durrësit. Burimet shtuan se në vendngjarje u sekuestrua një predhë plumbi e kalibrit 9 mm. Po punohet për të sqaruar rrethanat e motivet si dhe për të gjetur armën me të cilën është kryer vepra penale
Po mbrëmjen e djeshme forcat e policisë kufitare në portin e Durësit ndaluan një 18-vjeçare nga Përmeti, e cila e larguar që prej një muaji nga shtëpia, po tentonte të kalonte me traget drejt Italisë. Burime zyrtare nga policia e kufirit dhe migracionit, thanë se 18-vjeçarja M. Z., lindur dhe banuese në Leskaj të Përmetit u ndalua gjatë kontrollit, teksa paraqiste një pasaportë biometrike personale me një vizë polake. Vajza e re ishte shpallur në kërkim nga policia e Gjirokastrës pas kallëzimit të familjarëve se ishte larguar nga banesa më 9 nëntor, përfunduan burimet e policisë kufitare.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›