E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prishtina zbardhet me borë në prag festash

PRISHTINË- Kosova po përgatitet për festat e fundvitit, të dytat pas shpalljes së pavarësisë, legjitimiteti i së cilës u mbështet edhe në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë nga shumica e shteteve që paraqitën argumentet e tyre në seancat dëgjimore të përfunduara dje.

Ndër sukseset tjera të këtij viti janë edhe 10 njohje të reja nga 63 shtete anëtare të OKB-së, pranimi në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe në Bankën Botërore, zgjedhjet lokale, të parat zgjedhje në pavarësi të vlerësuara si provim i madh i demokracisë së shtetit të ri dhe model për rajonin, balotazhi i të cilave zhvillohet nesër, lidhja me shtetin e bregdetin shqiptar përmes autostradës nga Durrësi në Kosovë.
Sot në mëngjes në Prishtinë, atmosferës festive të përgatitjeve për Krishlindjet e Vitin e Ri iu shtua edhe bardhësia e reshjeve të dëborës që filluan këtë fundvjeshtë.
Sheshet ''Skënderbej'' dhe ''Nënë Tereza'' në kryeqytet po mbushen me zbukurimet e festave të fundvitit.

Pranë monumentit të Skënderbeut, përballë selive të institucioneve më të larta të Republikës, është ngritur bredhi i madh tradicional i festave të fundvitit, Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri, ndriçimin e të cilit do ta bëjë solemnisht sonte presidenti Fatmir Sejdiu.

Përgatitjet për festimet shumë të gëzuara të fundvitit po vazhdojnë edhe gjatë ditës së sotme, përkundër reshjeve të dëborës, në Prishtinë dhe në gjithë Kosovën. Punohet shumë e pandërprerë veçmas nëpër sheshe.

Gjatë 10 viteve të fundit kosovarët e kanë bërë traditë që Vitin e Ri me mijëra ta presin në sheshet kryesore të kryeqytetit dhe të qyteteve tjera, kudo edhe me koncerte festive deri në mëngjes dhe nën shkëlqimin e fishekzjarrëve.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›