E Diel, 1 Nëntor 2026

Durrës, këputet ashensori i pallatit, vdes 3-vjeçarja, plagoset kushëriri i saj

DURRES – Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e sotme në Durrës, ku një fëmijë ka humbur jetën dhe një tjetër është plagosur rëndë, si pasojë e këputjes së një ashensori në një pallat të ri në lagjen numër 1.

Burime nga vendi i ngjarjes bëjnë të ditur se në pallat është dëgjuar një zhurmë e madhe, si pasojë e këputjes së kavove të ashensorit. Pas kontrollit në ashensorin e rrëzuar u gjetën dy fëmijë 3–vjeçarë, të cilët kishin plagë të rënda në trup. Ata u transportuan menjëherë në spitalin rajonal të Durrësit, por vajza nuk mundi të mbijetonte, ndërsa kushëriri i saj është në gjendje të rëndë shëndetësore.

Mësohet se fëmijët  kishin hipur në ashensor të pashoqëruar nga të rritur. Shkak i rënies së ashensorit është bërë këputja e kavove mbajtëse të tij, ç’ka ka sjellë edhe këtë ngjarje të rëndë, me pasojë vdekjen e 3-vjeçares, S.Bekici.

Sipas banorëve që jetojnë në këtë pallat 10-katësh, i ndërtuar vitet e fundit, nuk kishte administrator për kontrollin periodik që i bëhet gjendjes teknike të ashensorit. Momentalisht policia ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të saj.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›