E Diel, 1 Nëntor 2026

Durres komiteti i turizmit ne alarm nga ndotja

Në Durrës është mbledhur komiteti i turizmit, për përgatitjet e sezonit turistik, i cili pritet të hapet pas pak javësh, por duke marrë në shqyrtim një prej pikave më të nxehta siç është mjedisi. Duke marrë shkas nga katastrofa ekologjike e ujërave të Lumit Ishëm, prefekti i qarkut të Durrësit Genci Alizoti kërkoi nga krerët e njësive vendore, por edhe institucionet, që të angazhohen për pastrimin e mjedisit në zonat që ata kanë nën administrim.
Ndërsa njoftoi për nisjen e aksionit kombëtar për pastrimin e territorit, drejtori i agjensisë rajonale Durrës Ramazan Kalia, vuri në dukje ndotjen masive që kanë dy lumenjtë, Ishëm e Erzen, ndotje sipas të cilit ka ardhur si pasojë e derdhjes së mbetjeve urbane në brigjet e lumenjve
Kalia kërkoi nga komunat dhe bashkitë e qarkut që të bëjnë mbulimin, depozitimin dhe krijimin e pengesave që mbetjet urbane të mos hidhen në det.
Përballë problemeve të ngritura mbi mungesën e investimeve në zonën turistike të Durrësit, kryebashkiaku Vangjush Dako, i pranishëm në këtë takim, e justifikoi mungesën e investimeve me mosmiratimin e buxhetit për vitin 2012
Çështje e nxehtë mjedisore mbeten edhe zona të ndryshme bregdetare të Durrësit siç është vija bregdetare e Ishmit, por edhe plazhi i Currilave. Këta zona turistike për shkak të mungesës së vëmendjes dhe neglizhencës nga strukturat përkatëse, rrezikojnë të mos frekuentohen nga pushuesit, nëse nuk ndërhyet urgjent për pastrimin e tyre nga mbetjet urbane në këtë prag sezoni.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›