E Diel, 1 Nëntor 2026

Durrës, kontrolli rutinë zbulon 102 kg kanabis

Policia zbulon rastësisht 102 kilogramë kanabis sativa. Lënda narkotike është bllokuar nga shërbimet e policisë në një automjet tip "Mercedes Benz" të parkuar në anë të rrugës, përgjatë superstradës Durrës-Tiranë. Automjeti me targa të Tiranës është konstatuar në Maminas nga shërbimet e policisë gjatë patrullimit të tyre rutinë. Konstatimi i një sasie të konsiderueshme pakosh një kilogramëshe të mbështjella me natriban ka bërë që mjeti të mbahet nën mbikëqyrje nga larg për të parë se kush do të vinte ta merrte, por, sipas burimeve nga grupi hetimor, askush nuk është bërë i gjallë. Pakot kanë qenë jo të fshehura, po të vendosura dukshëm në makinë. Burimet zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Durrës bënë të ditur se ishin 102 pako me peshë një kilogram secila. Hetimet për të zbardhur identitetin e personave të përfshirë në këtë trafik janë shtrirë dhe në kryeqytet, ku pritet të bëhen ndalimet e para, pas verifikimit të bërë mbi pronësinë e mjetit dhe lëvizjet e tij.

Va.Qy.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›