E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD mashtroi publikun për kamionçinat e fushatës

Partia Demokratike mashtroi elektoratin e saj gjatë fushatës me 40 kamionçinat që mbajtën për dhjetë ditë muaj logon dhe sloganet e saj gjatë fushatës për zgjedhjet e 28 qershorit 2009.
Pesë muaj më parë, gjatë fushatës zgjedhore, znj. Majlinda Bregu, në një ceremoni të zhvilluar në Portin e Durrësit, deklaroi se 40 kamionçinat kishin mbërritur si mbështetje e Partive Popullore Europiane. Sipas zonjës Bregu, ishte një fondacion që ndodhej pranë PPE-së, Fondacioni për Studime Politike për Ballkanin dhe Europën Juglindore, që kishte bërë të mundur mbërritjen e këtyre 40 kamionçinave, të cilat do të lëviznin për 10 ditë rresht në të gjithë Shqipërinë, për të dhënë dhe për të shprehur mbështetjen e së djathtës europiane ndaj së djathtës shqiptare.
Po çfarë ishin në fakt ato makina? "Fiks Fare" zbuloi se shoferët e atyre kamionçinave ishin qytetarë të thjeshtë italianë, që punojnë për një firmë private në Itali. Në atë kohë, askush nuk e dinte se kush i pagoi, kush i solli. Vetë drejtuesit e kamionçinave treguan për kamerën e "Fiks Fare" se ishin shtetas italianë që punonin për një shoqëri private në Itali, e cila merret me marketing dhe publicitet. Ishte kjo kompani që i kishte sjellë në Shqipëri.
Për ta konfirmuar këtë shkuam dhe pyetëm në doganën e Portit të Durrësit, nga ku kishin hyrë kamionçinat. Ish-drejtori i kësaj dogane, zoti Arben Ibroja, na konfirmoi se kamionçinat ishin disa automjete që kalojnë siç kalojnë të gjitha mjetet. Ishin automjete që kalojnë nën regjimin e lejimit të përkohshëm të thjeshtëzuar. Gjithashtu kreu i Doganës së Durrësit konfirmoi se këto kamionçina nuk kishin hyrë në Shqipëri nën emrin e ndonjë subjekti politik apo fondacioni, ashtu siç deklaroi zonja Bregu.
Nga ana tjetër, dy ditë më parë PD depozitoi pranë KQZ-së zbardhjen e financimit të fushatës zgjedhore që ajo zhvilloi në periudhën maj-qershor 2009.
Në bazë të këtij deklarimi, të depozituar tashmë në KQZ, Partia Demokratike ka shpenzuar mbi pesë milionë lekë për ardhjen e këtyre kamionçinave.
Pra këto kamionçina nuk ishin as dhuratë dhe as ndihmesë, po janë paguar nga Partia Demokratike për reklamë gjatë fushatës zgjedhore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›