E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lezhë, qëllohet me armë nënkomisari i policisë

Konflikti për pronat nuk ka kursyer as uniformat blu. Nënkomisari Krenar Molla, drejtues i policisë rrugore të Lezhës, është plagosur pasditen e djeshme me pistoletë. Burime zyrtare nga policia e Lezhës bëjnë të ditur se ngjarja ka ndodhur rreth orës 18:30 të së enjtes. Ndërkohë që brenda pak minutash është arritur të identifikohet autori i plagosjes dhe të zbardhen rrethanat dhe motivi i kësaj ngjarjeje të rëndë. Emri i autorit nuk është bërë i njohur për shkaqe hetimore, ndërkohë që uniformat blu po krehin zonën për të çuar në pranga personin që plagosi një efektiv të policisë. Ndërkaq, nga hetimet paraprake është arritur të mësohet se shkak i plagosjes së efektivit të policisë që mban gradën e nënkomisarit, ka qenë një konflikt pronësie mes të atit të tij dhe autorit të ngjarjes. Polici 27-vjeçar është dërguar me urgjencë për në spitalin rajonal të Lezhës, ku i është nënshtruar menjëherë ndërhyrjes mjekësore. Burime spitalore bëjnë të ditur se ai ndodhet në gjendje të rëndë për shkak të dy plumbave që ka marrë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›