E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kukës, kapen tetë rumunë që mashtronin me flori kallp

Shisnin hekurishte duke i servirur për flori, bien në prangat e policisë tetë mashtrues me nënshtetasi rumune. Mësohet se të huajt kishin arritur të mashtronin banorë në qytete të ndryshme, por në hyrje të Kukësit janë vënë në prangat e policisë. Tetë persona të ashtuquajtur "tregtarë të floririt", pasi kishin kaluar Rrethin e Pukës, ku kishin bërë edhe një pazar "të mirë", janë ndaluar nga uniformat blu kuksiane, pa mundur të vazhdojnë më tej. Shtetasit rumunë, katër gra dhe katër burra të moshës nga 30-40 vjeç, udhëtonin në dy autovetura dhe janë ndaluar nga policia tek ura e Drinit të Zi. Ndalimi i tyre është bërë pas një sinjalizimi të mbërritur nga policia e Pukës, ku ishte bërë një denoncim për mashtruesit. Denoncimi kishte ardhur nga disa banorë që kishin kuptuar se ishin mashtruar pasi e kishin blerë shtrenjtë floririn kallp. Pas ndalimit dhe kontrollit të ushtruar nga uniformat blu, ka rezultuar se ata kishin me vete sasi të madha parash dhe hekurishtesh, që ishin të veshura me flori. Rumunët kanë deklaruar se po udhëtonin për në Kosovë, pasi kishin bërë tregti në Shqipëri.

Su.Di.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›