E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës, mbahet edicioni i 5-të i bienales "Netët e muzikës klasike"

DURRËS- Një grup artistësh shqiptarë të drejtuar nga violinisti Florian Vlashi në pesë mbrëmje radhazi do t'i japin jetë , Bienales "Netët e muzikës klasike", që organizohet në qytetin e Durrësit që nga viti 2003.

Katedralja "Shën Luçia", galeria e arteve "Jozef", holli i pallatit të kulturës "Aleksandër Moisiu" dhe salla e koncerteve "Pjetër Dungu" do të jenë mikpritësit e artistëve dhe të pasionuarve të muzikës, duke zgjeruar hartën e mjediseve ku arti dhe veçanërisht muzika dëgjohen dhe vlerësohen.

Dëgjuesit e pasionuar do të kenë mundësi të shijojnë partitura të njohura dhe të panjohura, mes të cilave edhe një vepër, që do të interpretohet në premierë botërore.

"Duke ruajtur traditën 8-vjeçare edhe në edicionin e pestë do të "vijë" një vepër e porositur enkas për Bienalen "Netët e muzikës klasike", -tha violinisti durrsak Florian Vlashi.

Nata e muzikës shqiptare, më 2 gusht i kushtohet kompozitorit Pjetër Gaci. "Duam të risjellim në vëmendje jo vetëm kontributin e Gacit si kompozitor, por veçanërisht punën e tij të palodhur në lëmin e pedagogjisë muzikore dhe krijimin e shkollës së violinës shqiptare", u shpreh Vlashi.

Edicioni i pestë i Bienales do të nisë ditën e hënë me Natën kushtuar muzikës baroke dhe veçmas autorëve venecianë Giovanni Gabrielli (1564 – 1612), Tomaso Albinoni (1671 – 1751), Giovanni Ferrandini (1710 – 1791) dhe Antonio Vivaldi (1678 – 1741).

Nxënësit e shkollës së mesme artistike "Jan Kukuzeli" të qytetit janë ftuar të mërkurën në Masterklasin me drejtues solistët e veprimtarisë muzikore "Netët e muzikës klasike 2011", ndërsa të enjten në mbrëmje do të zhvillohet konkursi tradicional i talenteve të rinj" Yjet e muzikës klasike". Njëlloj si vitet e shkuara fituesi i vendit të parë fiton të drejtën e intepretimit si solist me një formacion instrumental në Spanjë.

Edicioni i këtij viti do të mbyllet të premten e ardhshme me koncertin e titulluar "Stinët, nga Vivaldi te Piazzolla". "Nata e muzikës moderne" është stacioni i fundit i Bienalës dhe organizatorët kanë menduar të sjellin frymëzimin e përbashkët muzikor të dy autorëve që kanë jetuar më shumë se dy shekuj larg njëri tjetrit.
(atsh/BalkanWeb)

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›