Durrës, mes plazhit, historisë, kulturës dhe gastronomisë
Bregdeti i Durrësit ofron mundësi të pafund pushimi dhe argëtimi gjatë sezonit turistik. Në plazhin e madh, por edhe në plazhet e Shkëmbit të Kavajës dhe Golemit, si dhe më tutje në drejtim të Jugut, a më lart në Veri ndodhen hotele që ofrojnë cilësi në shërbim. E pas akomodimit në to kushdo që vendos të pushojë në këtë pjesë të bregdetit të Adriatikut do të ketë mundësinë të shijojë prodhimet e detit në lokale të zakonshme, por edhe luksoze që janë ndërtuar pranë detit. Jo vetëm prodhimet e detit, por edhe produktet e mishit dhe kuzhina vendase, ndërkombëtare dhe kosovare ofrohen rëndom në lokalet e plazhit për t’iu përgjigjur kërkesave dhe shijeve të ndryshme të pushuesve që vijnë nga zona të ndryshme, brenda dhe nga jashtë kufijve tanë. Dhe pasi akomodohesh e ushqehesh, bën banjë dielli dhe uji, padyshim që të nevojitet më shumë për pushime mbresëlënëse dhe Durrësi t’i ofron mundësitë me shumicë. Këtu e sotmja ndërthuret bukur me Mesjetën dhe Antikitetin. Vetëm pak kilometra për të lëvizur nga plazhet dhe pushuesit mund të vizitojnë qytetin e Durrësit, atë të Krujës, jo shumë larg tij dhe pjesë e të njëjtit qark, dhe një mori muzesh arkeologjikë, historikë, etnografikë dhe lufte, Amfiteatrin Antik, Torrën Veneciane, Banjat Romake, Rotondën Bizantine, Murin Mesjetar e plot të tjera. Monumentet e kulturës janë të shumta në Durrës dhe vizita në to u jep një tjetër ngjyrim pushimeve të çdokujt. Madje, në një sezon nuk mund t’i vizitosh të gjitha, prandaj ia vlen të rikthehesh. Dhe jo vetëm për to. Muzika e kënduar drejtpërdrejt (live) nga këngëtarë të ndryshëm apo e lëshuar nga DJ në lokale, koncertet dhe spektaklet e organizuara në sheshe dhe shëtitoren bregdetare i japin një ritëm të zjarrtë natës në plazhe dhe në qytet duke argëtuar pushuesit e shumtë.
Udhëtimi nga Tirana drejt plazhit të Durrësit e Shkëmbit të Kavajës e anashkalon qytetin. Po ashtu dhe nëse shkon në plazhet në Veri të tij. Pas mbarimit të superstradës Tiranë-Durrës, të ofrohen dy mundësi: të kthehesh në të djathtë duke ndjekur tabelat orientuese e të shkosh drejt Gjirit të Lalëzit, një perlë natyrore ku gjelbërimi, rëra dhe deti ofrojnë relaks, kënaqësi dhe intimitet edhe jashtë sezonit turistik, ose të vazhdosh më tej drejt plazhit të madh. Vija bregdetare, nga Gjiri i Durrësit deri në atë të Lalëzit në veri, të ofron përveç plazheve piktoreske monumente historike, siç është Kalaja e Skënderbeut, ajo e Ishmit dhe kisha mesjetare. Plazhi i madh i Durrësit ka kushte të favorshme jo vetëm për turizmin detar, po dhe për atë kulturor. Këtu është kodra ku u zhvillua beteja midis çezarit e Pompeut, që njihet me emrin “Shkëmbi” dhe po përballë tij “Kodra e Shën Mëhillit”, ku u zhvillua beteja midis Perandorit të Bizantit, Aleks Komneni dhe Robert Guiskardit, në 18 tetor 1081. Këtu është zbuluar një bazilikë e shek.VI, që njihet si Bazilika e Arapajt, e njohur për mozaikun e saj që është i konservuar. E ndërsa njihesh me lavdinë e mbartur në shekuj të një historie që flet edhe në një zonë që njihet si vendpushim masiv i shqiptarëve të Maqedonisë dhe kosovarëve, emrat e restoranteve dhe hoteleve të njohura të ngacmojnë të akomodohesh dhe shijosh ushqimin që ofrojnë. Përgjatë rrugës së plazhit ka shumë hotele me 3 deri në 5 yje që të ofrojnë konfort dhe zgjimin nën tingujt e detit e këngës së pulëbardhave. Natyra këtu takon artin kulinar, gastronominë e re dhe pjatat që ftojnë të shijosh gatimet cilësore. E nëse do krudo të mira peshku dhe prodhime të tjera të detit, për shijen fine të tyre duhet të ndalosh në lokale të veçanta të njohura për shërbim të nivelit të lartë. Moria e restoranteve bën që pritshmërisë së pushuesve të mos i mungojë freskia e frutave të detit, picat e gatuara në furrë druri dhe kokteilet mbresëlënëse nën gjelbërimin e pishave. Të gjitha të ofruara në një mjedis miqësor ku gjen kryesisht një ndërthurje të specialiteteve të kuzhinës tradicionale shqiptare me atë italiane. Pas Shkëmbit të Kavajës kur i afrohesh Golemit dhe Malit të Robit e hyn në rrethin bregdetar të Kavajës ndesh në të tjera hotele luksoze dhe resorte e fshatra turistikë që ofrojnë shërbime të shumëllojshme duke e bërë plazhin mjaft tërheqës jo vetëm për kryeqytetasit, vendasit po dhe për turistët nga Kosova e Maqedonia, si dhe të huaj. Këto ofrojnë meny të pasur në gatime mesdhetare të gatuara me mjeshtëri nga shefat e kuzhinës. Ndërkaq, në hyrje të Kavajës ia vlen të ndalosh dhe në disa të ashtuquajtura bujtina për të shijuar zogjtë e fushës dhe përsheshin karakteristik me miell misri.
#