E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqiptarët e Preshevës kërkojnë mbrojte nga Tirana e Prishtina

Takimi Apeli: Mungon përkujdesja e institucioneve të Shqipërisë dhe Kosovës

Përfaqësues të shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe të Malësisë së Madhe të Malit të Zi kanë kërkuar nga institucionet e Shqipërisë dhe Kosovës që të ngrenë zërin për mbrojtjen e të drejtave të tyre, të mohuara nga institucionet e shteteve ku jetojnë. Të mbledhur në një tryezë të emërtuar “Të ndarë e të (pa) mbrojtur”, dje në Pejë, ata kanë pohuar se realiteti në këto dy vise shqiptare, të mbetura jashtë kufijve të dy shteteve amë, është shumë i dhimbshëm, ndërkohë që mungon përkujdesja e institucioneve të Shqipërisë dhe Kosovës për të sensibilizuar edhe opinionin ndërkombëtar për gjendjen atje. Për më shumë përfaqësuesit e këtyre viseve, të përkrahur edhe nga organizata të ndryshme joqeveritare të Pejës, kanë deklaruar se vizitat e figurave politike të Shqipërisë dhe Kosovës në shtetet e tyre dhe opinionet për gjendjen e elementit shqiptar atje janë të paqëndrueshme dhe krejt ndryshe nga realiteti. Shembull për këtë kanë përmendur vizitën e paradokohshme të Ilir Metës në Luginën e Preshevës, i cili, sipas tyre, ka deklaruar se kurrë në historinë e tyre, shqiptarët e kësaj pjese nuk kanë jetuar më mirë. “Kjo është e paqëndrueshme”, ka deklaruar Rrahman Jashari, zëdhënës i shoqatës “Martin Dreshaj, duke shtuar se pjesëmarrësit e këtij takimi do t’i drejtohen Kryeministrit Sali Berisha, në prag të vizitës së paralajmëruar të Presidentit të Serbisë, Boris Tadiç, me një letër për t’ia treguar anën e errët të jetës së shqiptarëve në Kosovën Lindore. Nga ana tjetër, Rexhep Abazi, përfaqësues i shqiptarëve të Luginës së Preshevës, ka thënë se gjendja e shqiptarëve jashtë kufijve të Shqipërisë dhe Kosovës është shumë e keqe. “Në Kosovën Lindore na mohohen të gjitha të drejtat”, ka thënë ai, duke konkretizuar thënien e tij me mungesën e zhvillimit ekonomik, kulturor dhe arsimor. “Për këtë gjendje të shqiptarëve, një pjesë e madhe e përgjegjësisë bie mbi institucionet e Shqipërisë dhe të Kosovës”, ka thënë ai.

Duke u ndërlidhur në përshkrimin e kësaj gjendjeje, Rrahman Jashari ka përmendur nenin 8, paragrafi 1 të Kushtetutës së Shqipërisë, e cila obligon shtetin shqiptar që të përkujdeset për të drejtat e shqiptarëve jashtë kufijve të Shqipërisë.

Ndue Sanaj, udhëheqës i shoqatës “Dukagjini”, me seli në Shkodër, ka kërkuar mbrojtje shtetërore të këtyre viseve të banuara me shqiptarë. “Gjendja e shqiptarëve jashtë kufijve të Kosovës dhe Shqipërisë është shqetësuese. U bëjmë thirrje institucioneve të dy vendeve që të bëjnë më shumë për mbrojtjen e tyre”, ka thënë ai, duke përmendur se këtë mund ta bëjnë duke u bazuar edhe në Kartën Ndërkombëtare të të Drejtave të Popujve. Gjithnjë në këtë frymë kanë diskutuar edhe të pranishëm të tjerë, ndërkohë që përfaqësuesi i lëvizjes “Vetëvendosje”, Dardan Molliqaj ka thënë se vetëm bashkimi kombëtar është garancia për mbrojtjen e shqiptarëve të ndarë.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›