E Diel, 1 Nëntor 2026

Durrës, mjekët japin alarmin, abordet në shifra rekord gjatë vitit 2008

>Viti 2008 ka shënuar një shifër rekord abordesh në spitalin e Durrëst, kjo krahasuar me vitet e mëparshme. Viti që sapo lamë pas është mbyllur me një numër prej 2 571 lindje në total, në maternitetin e spitalit të Durrësit, duke regjistruar 2588 fëmijë gjithsej. Nga ky numër, duhet theksuar se 17 fëmijë janë binjakë, ndërsa në totalin e mësipërm 1 407 fëmijë janë meshkuj dhe 1 181 janë femra. Numri i meshkujve ka qenë dominant pothuajse në të gjithë muajt në maternitetin e Durrësit, ndërkohë që numri mesatar i lindjeve në një muaj është 215. Ndërkaq, spitali i Durrësit vijon të përballet me fluksin e grave, të cilat kërkojnë të abortojnë për shkaqe dhe arsye të ndryshme. Në 12 muaj, ky numër ka qenë nga statistikat më të diskutuara. Numri i aborteve ka pësuar rritje krahasuar me çdo vit tjetër.
Abordet
Mjekët janë detyruar të ndërpresin shtatzaninë në 417 raste, prej të cilave vetëm 5 janë me vendim të komisionit përkatës, komision i cili ka mundur të bindë gruan shtatzënë dhe familjarët se lindja rrezikon seriozisht jetën e gruas. Janë plot 326 aborte spontane dhe 86 aborte me dëshirë të regjistruara në një vit në maternitetin e Durrësit. Në ndryshim me vitet e tjera, vdekshmëria foshnjore ka qenë tepër e ulët. Gjatë12 muajve janë regjistruar vetëm 4 bebe të lindura të vdekura, ndërkohë që ka rënë numri i bebeve premturë e distrof. Por bluzat e bardha të maternitetit të Durrësit kanë thënë në mënyrë të përsëritur se numri i aborteve është edhe më i lartë. Ata nuk kanë qenë në gjendje të japin një shifër, por janë shprehur të sigurt se një pjesë e klinikave më së shumti kryejnë vetëm procesin e abortimit. Në raste të tilla, shtatzëna nuk ka kartelë dhe as nuk identifikohet, duke e bërë të vështirë nxjerrjen e një statistike. Ajo që shqetëson stafin e kualifikuar mjekësor ka të bëjë me kushtet e pajisjeve dhe steriliteti i tyre që përdorin bluzat e bardha në klinika private. Ndonëse është folur disa herë lidhur me fushën për të licencuar çdo shërbim mjekësor që afrohet në rrugë private, deri më tani askush nuk ka një statistike të plotë për numrin e klinikave të tilla. Por nga ana tjetër edhe numri i lindjeve ka qenë i lartë dhe fëmijët kanë qenë të shëndetshëm. Burime nga spitali i Durrësit kanë bërë të ditur se numrin më të madh të lindjeve të regjistruara në maternitetin e spitalit të Durrësit e përbëjnë gra nga rrethi i Durrësit, por në këtë maternitet janë realizuar edhe 381 lindje të grave që kanë ardhur nga Kruja, Kavaja, Rrogozhina dhe qytetet të tjera. Nga totali i lindjeve të regjistruara gjatë një viti në maternitetin e Durrësit, 1 615 janë lindje të grave që banojnë në qytet dhe 956 në fshat. Edhe për numrin e fëmijëve, 1622 fëmijë janë të qytetit, kurse 966 fëmijë që banojnë në fshat. Nga ky numër, 1 900 lindje janë realizuar si lindje normale, kurse për 671 të tjerat, është dashur ndërhyrja e mjekëve me operacion.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›