E Shtunë, 31 Tetor 2026

Po sikur edhe Shqipëria të fillojë të ëndërrojë?

>Ivana TOMÇO
Një nga pyetjet dhe dilemat që na mundon së tepërmi, e na shoqëron gjithkund teksa përpiqemi të deshifrojmë aspektet shpesh të ngatërruar të jetesës apo mbijetesës sonë, të kuptojmë se ku shkojnë përpjekjet dhe mundimet shpesh të stërmëdha me të cilat na duhet të përballemi në të përditshmen tonë, është kjo: Cila është qenia më e çmuar në botë? Përgjigja është e thjeshtë: Qenia njerëzore. Cila është qenia më e përçmuar, më e shtypur, më e dhunuar? Përsëri, qenia njerëzore. Për një copë tokë, për çështje interesi, për para, për prestigj, sakrifikohen miliona qenie njerëzore. Miliona burra, gra, fëmijë, u nënshtrohen të gjitha formave të lehta e të rënda të skllavërisë. Makina ekonomike që prodhon të mirat materiale, arrin të përmirësojë çdo ditë e më shumë jetën e grupeve të mëdha shoqërore. Por pasuritë e prodhuara nga kjo politikë masive, nga liritë arrogante dhe egoiste, bëhen të pasuportueshme në sytë e atyre që vdesin urie. Shoqëria tenton ta bëjë individin një nëpunës model, një prind të qëndrueshëm, një tregtar apo blegtor të zellshëm, në shërbim të së mirës së përbashkët. Por përsëri, shohim të shpërthejnë gjithandej pabarazitë. Raca njerëzore është një bashkësi e përzier karakteresh, qëndrimesh e pikëpamjesh të ndryshme, e megjithatë, individi, (pra njësia themelore), ngulmon në diversitetin e tij ekstrem. Mua kjo më duket diçka e mrekullueshme. Rrofshin shpikësit, vetmitarët që përshkojnë oqeanet, artistët që këndojnë apo kërcejnë, ushtarët që parakalojnë, kalimtarët e zakonshëm që nuk ndjekin të njëjtën rrugë me njerëzit e zakonshëm...Por, paradoksi është se shoqëritë tona kultivojnë individualizmin liberal. Ne të gjithë i favorizojmë veprimtaritë humanitare dhe i konsiderojmë një ideal themelor. I mbrojmë aq shumë sa ndonjëherë na duket sikur i kemi shpikur ne. E megjithatë, jemi të parët që protestojmë aq shumë për plotësimin e dëshirave personale: për të pirë duhan, për të drejtuar automjetin, për t'u dehur, për të dashuruar... Në jetën publike,  duam rregullore dhe ligje të forta, ndërsa për jetën private, mbetemi individë të pabindur e kokëfortë.
Por, për fat të mirë, individët përzihen. Ata lëvizin, udhëtojnë, takohen me njeri tjetrin, dashurohen. Në këtë çast, optimizmi më bën të mendoj se bota globale nuk do të ekzistojë asnjëherë. Jam e bindur se individët do të vazhdojnë të përshtaten, të përmirësohen, të ndryshojnë, të dashurojnë... Le të marrim pra, sa më shpejt në dorë skeptrin e shpikjeve, duke e konsideruar fatalitetin si mashtrim. Kombet prodhues të ideve të reja gjithnjë kanë qenë timonierë. Kur një popull lufton për një çështje të madhe, ai bëhet i madh. Këtu nënkuptojmë një shoqëri të aftë për të formuar qenie njerëzore me kulturën e lëvizjes dhe ndryshimit. Imagjinoni një ndryshim radikal modeli, një mobilizim të përgjithshëm të të gjitha forcave dhe resurseve: nxënësve, bashkive, organizmave të ndryshëm, kanaleve televizivë, sindikatave
Në vend që të mendojmë se Shqipëria ka marrë fund, le ta imagjinojmë vendin tonë si një superfuqi të krijimtarisë. Imagjinojeni pra Shqipërinë, me fytyrë të kthyer nga krijimi: teknologjik, kulturor, administrativ, pedagogjik. Si do të ishte jeta jonë nëse çdo shqiptar do të ishte një shpikës? Ëndërrova me sy hapur një ëndërr të mundur! Po sikur edhe Shqipëria të fillojë të ëndërrojë?

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›