E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës, mungojnë trojet e lira për kompensimin e pronarëve

Ish-pronarët e tokave në bregdetin durrsak do të duhet të harrojnë tashmë mundësinë e rikthimit të tokave të tyre e do të duhet të presin për kompensim në bregdet. Sipas informacioneve nga Agjencia e Kthimit e Kompensimit të Pronave në Durrës, realiteti tregon se nuk ka mbetur pa pushtuar asnjë metër katror tokë pranë detit. Mungesa e pronave të lira do të duhet të rikthejë sytë e AKKP-së nga troje të tjera, për kompensimin e ish-pronarëve.

Mbi 2000 dosje, në KKP

Në Agjencinë e Kthimit e Kompensimit të Pronave janë afërsisht 2000 dosje pronarësh të cilët kanë aplikuar dhe presin të marrin pronat e tyre që nga fillimi i viteve ‘90 e në vazhdim. Por “praktikisht është pothuajse e pamundur që të gjitha këta pronarë të mund të marrin tokat e tyre brenda në qytet për shkaqe objektive pasi mbi këto troje ndodhen objekte të patjetërsueshme”, - bëjnë të ditur burime nga agjencia. Në këto kushte pronarët po qëndrojnë me shpresë se një ditë do të kompensohen me toka në zonën bregdetare të Durrësit. Ata kanë parasysh vijën bregdetare nga Bishti i Pallës deri në Kep të Rodonit. Por është edhe një pjesë e vogël e tyre e kësaj kategorie e cila kënaqet edhe me kompensim me para, por me kusht që tokat e tyre të vlerësohet me çmimin që përdor tregu i ndërtimit.

Pushtimet e trojeve

Trojet që ishin parapërcaktuar për kompensimin e ish-pronarëve, tashmë ndodhen në duart e privatëve. Nisur nga kjo situate, me gjithë dëshirën e ish-pronarëve për t’u kompensuar me tokë në bregdet nga AKKP-ja, praktikisht kjo është krejtësisht e pamundur. Në Agjencinë e Kthimit dhe të Kompensimit të Pronave në Durrës deklaruan për “standard” se “nga një studim që ata kanë kryer përgjatë gjithë bregut të detit, rezulton se që nga Katundi i Ri e deri në Kepin e Rodonit nuk gjendet qoftë edhe 1 metër katror tokë e lirë, e cila do të mund të përdorej për kompensimin e këtyre pronarëve”. Vija bregdetare është thuajse e ezauruar, pasi një pjesë e mirë e saj u është kthyer pronarëve të ligjshëm, një pjesë tjetër është dhënë me emfiteozë për zhvillimin e turizmit elitar dhe një tjetër pjesë është ndarë sipas ligjit nr. 7501, duke e trajtuar si tokë bujqësore.

Ku ka troje të lira

Për të realizuar kompensimin e ish-pronarëve në Durrës, nevojiten afërsisht 5 deri 7 mijë hektarë tokë. “Kjo është një sipërfaqe e konsiderueshme të cilën Durrësi nuk e disponon në zonën turistike”, – bëjnë të ditur specialistët e AKKP-së. Në Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave kanë konstatuar se në këtë qark tokat e lira ndodhen në zonë kodrinore dhe malore, kryesisht në Krujë dhe në bashki e komuna periferike. Nga fillimi i vitit 2000, qeveria mori një iniciativë për studimin e trojeve të lira. Por ai studim u arkivua dhe sot situata paraqitet pa zgjidhje për sa i përket kompensimit në bregdet dhe në zonë të lakmuar për zhvillime urbane.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›