E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodër, arrestohet punonjësi i Antidrogës, trafikonte hashash

Një agjent i Sektorit të Luftës kundër Drogës të Policisë së Shkodrës u arrestua ditën e djeshme, pasi akuzohet për trafik të lëndëve narkotike. Drejtoria Rajonale e Shkodrës dhe Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm kanë realizuar me sukses ditën e djeshme operacionin “Bliri”, ku vunë në pranga tre persona, mes të cilëve një punonjës të Antidrogës. Shpëtim Guri, 34 vjeç, lindur e banues në fshatin Doraç të rrethit Shkodër, me detyrë specialist në Seksionin e Luftës Kundër Drogës në Drejtorinë e Policisë Qarku Shkodër, u arrestua dje me akuzën e shpërdorimit të detyrës. Gjithashtu, në pranga u vunë edhe Ndriçim Fikaj, 34 vjeç dhe Fatjon Kurtaj, 26 vjeç.

Policia e rrethit të Shkodrës kishte tre muaj që hetonte punonjësin e Antidrogës, i cili dyshohej se favorizonte kultivimin e lëndëve narkotike në zonën e Postribës. Ata kanë vëzhguar 34-vjeçarin dhe aktivitetin e tij dhe kanë parë që ai ishte i përfshirë në kultivimin e hashashit, se bashku me dy të arrestuarit e tjerë, dhe krijonte mundësinë, që të mos kishte asnjë problem nga ana e policisë. Mësohet se Kurtaj dhe Fikaj kishin mbjellë në zonën e Postribës gjithsej shtatë mijë rrënjë bimë narkotike të llojit marijuanë, të cilat prej kohësh kultivoheshin qetësisht, pasi përgjegjës i Antidrogës për zonën ishte punonjësi i policisë, Shpëtim Guri. Sipas burimeve policore, “specialisti i Antidrogës ishte nën hetim prej tre muajsh, pasi kishte dyshime se ai, jo vetëm që lejonte në Postribë kultivimin e marijuanës, por edhe shërbente si mbrojtje për të vijuar qetësisht dhe pa kokëçarje policore, kultivimin deri në trafikim të drogës”. Duke pasur dyshime në lidhje me veprimtarinë e të arrestuarit, kanë nisur menjëherë hetimet nga ana e policisë. Për një periudhë tremujore është bërë i mundur sigurimi i provave dhe dokumentimi ligjor i aktivitetit kriminal të këtyre personave, për veprat penale për të cilat janë ndaluar. Kështu 34-vjeçari Guri, Ndriçim Fikaj, 34 vjeç dhe Fatjon Kurtaj, 26 vjeç, që të dy këta nga fshati Ura e Shtrenjtë e Shkodrës, do të jenë nën akuzë për “kultivim të lëndëve narkotike”.

Policia e Shkodrës njofton se janë asgjësuar shtatë mijë rrënjët e bimëve narkotike në fshatrat e Komunës Postribë, ku edhe ishin kultivuar dhe ishin gati për trafikim. Hetuesit njoftojnë se hetimet në lidhje me këtë vepër kriminale do të vazhdojnë edhe më tej, për të zbardhur rrethana të tjera mbi ngjarjen dhe të implikuar të tjerë të mundshëm.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›