E Diel, 1 Nëntor 2026

Durrës, ndalohet familja kosovare, tentoi kalimin e paligjshëm drejt Italisë

DURRËS- Tre shtetas kosovarë, anëtarë të së njejtës familje janë bllokuar mbrëmjen e kaluar në portin e Durrësit, teksa tentonin kalimin drejt Italisë me dokumenta të falsifikuara.

Burime zyrtare nga drejtoria rajonale e policisë së kufirit dhe migracionit, bënë të ditur se, "bashkëshortët Selmani, përkatësisht 35 dhe 34 vjeç dhe djali i tyre 16 vjeç, banues në komunën e Vitisë (Kosovë) janë ndaluar gjatë kontrollit në pikën e kalimit kufitar të portit detar".

Sipas të njëjtit burim ata tentonin të niseshin me tragetin e linjës Durrës-Bari, duke përdorur leje qëndrimi italiane të falsifikuara.

"35-vjeçari Imer Selmani u arrestua për veprën penale të falsifikimit të dokumentave, ndërsa dy pjestarët e tjerë të familjes do të ndiqen në gjëndje të lirë", shtuan burimet.

Gjatë fundjavës së kaluar në portin detar të Durrësit u ndaluan pesë shtetas të tjerë kosovarë, të cilët tentuan gjithashtu kalimin drejt Italisë me dokumente të falsifikuara.
(ma.ar/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›