E Diel, 1 Nëntor 2026

Durrës, në fundjavë mbërrijnë 18.700 udhëtarë, largohen 7.700 të tjerë

DURRES -Gjatë tre ditëve të fundit të javës së kaluar në portin e Durrësit kanë mbërritur me tragete 18.723 udhëtarë dhe janë larguar 7.703 udhëtarë të tjerë, bënë të ditur burime zyrtare nga drejtoria rajonale e policisë së kufirit dhe migracionit.

Sipas të njëjtave burime, çdo ditë në port janë përpunuar mbi 15 tragete në hyrje dhe në dalje dhe bashkë me rritjen e numrit të udhëtarëve, që mbërrijnë për pushime në vendin tonë, kanë filluar edhe largimet e shumë të tjerëve, që tashmë i kanë përfunduar ato.
Burimet e policisë së kufirit bëjnë me dije, se dita më e ngarkuar ishte e diela me 6750 udhëtarë në hyrje dhe 2 mijë të tjerë në dalje nga porti më i madh i vendit. Grafiku i lundrimit të trageteve në linjat e Barit, Brindizit dhe Triestes është respektuar, falë shkëmbimit të të dhënave mes porteve në të dy anët e Adriatikut si dhe sistemit modern e të shpejtë të kontrollit kufitar në terminalin e udhëtarëve në Durrës.

Gjatë tre ditëve të fundit janë përpunuar 26.500 udhëtarë me mbi 7 mijë automjete gjithsej, shtuan burimet e policisë kufitare, sipas të cilave në ditët në vazhdim numri i udhëtarëve që mbërrijnë në vendin tonë pritet të ulet gradualisht. Në ditët e ardhshme parashikohet të fillojë rikthimi drejt vendeve të Evropës perëndimore i bashkatdhetarëve që kaluan pushimet pranë familjeve të tyre në vendin tonë, në Kosovë dhe Maqedoni, - përfunduan burimet e policisë lokale.

(er.nu/ata/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›