E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës, nisin punimet për ndërtimin e 252 apartamenteve për të pastrehët

Strehimi mbetet një nga problemet më të rënda sociale, për të cilin duket se është menduar seriozisht në qytetin Durrësit, ku ditën e djeshme ka nisur zbatimi i projektit më të madh infrastrukturor në qytet siç është ndërtimi i disa pallateve me qëllime sociale me 252 apartamente. Bëhet fjalë për katër pallate me nga 8 kate secili që do të ndërtohen brenda 18 muajve në lagjen 17 të Durrësit. Kryebashkiaku i Durrësit i cili përuroi fillimin e punimeve për këtë projekt, Vangjush Dako deklaroi se kjo është vetëm faza e parë e këtij projekti gjigand që do të lehtësojë problemin e familjeve të pastreha në Durrës. Kemi filluar një nga projektet më të mëdha infrastrukturore, i cili do të lehtësojë gjithashtu një problem të madh social në Durrës siç është strehimi i familjeve të pastreha. Në këtë kompleks pallatesh do të strehohen me qira të ulët 252 familje gjë që lehtëson problemin e të pastrehëve në qytetin tonë, u shpreh kryebashkiaku Dako, sipas të cilit kjo është faza e parë e këtij projekti sepse në fazën e dytë do të ndërtohen edhe 90 apartamente të tjera për të kompletuar të gjithë kompleksin e këtyre banesave me qëllime sociale. Ardhja në ndihmë të kësaj kategorie njerëzish që kërkojnë strehim për një jetesë normale është konsideruar nga Dako si prioritet i institucionit që ai drejton. Ky projekt do të mundësojë zbutjen e problemit të strehimit tek shtresat e varfra të shoqërisë në qytetin e Durrësit dhe i gjithë projekti është financuar me kredinë e përfituar nga CEB-i në vlerën 3.341.410 euro. Në fazën e parë ka filluar puna për ndërtimin e katër pallateve me nga 8 kate secili ku do të ketë gjithsej 252 apartamente të ndara në 118 apartamente 2+1 dhe 134 apartamente 1+1. Vlera e këtij investimi është 520 milion lekë të rinj dhe punimet do të përfundojnë pas 18 muajsh. Sipërfaqja e truallit në dispozicion të këtyre banesave është 8309 metër katror, ndërsa në total sipërfaqja e ndërtimit është 22 000 metër katror. Pas këtyre banesave do të vijojë edhe faza e dytë ku do ët ndërtohen të tjera apartamente pasi i gjithë projekti parashikon ndërtimin e 342 apartamenteve me qëllime sociale. Këto banesa do tu jepen të pastrehëve me qira sociale të ulët që mund të arrijë nga 5 000 deri në 7 000 lekë të rinj në muaj. Me përfundimin e këtij projekti pretendohet që mungesa e strehimit, si një nga plagët më të mëdha të shoqërisë tonë jo vetëm në Durrës por në të gjithë vendin, të mund të reduktohet në një farë mënyre. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›