E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës, nxirren trupat e 2 të rinjve te mbytur në lumin Ishëm

DURRES-  Polumbarët të cilët prej mëngjesit të sotëm kanë nisur kërkimet për gjetjen e trupave të pajetë të dy 20-vjecarëve të mbytur ditën e djeshme në lumin Ishëm, kanë mundur të gjejnë dhe të nxjerrin prej nga ujrat e lumit dy trupat e pajetë të dy të rinjve,  Ervis Saliajn dhe pak më vonë të zhdukurin tjetër Elton Sinometi.

Mësohet se polumbarët kanë mundur të gjejnë rreth 1 metër larg njëri-tjetrit trupat e pajetë të dy të rinjve, pas një kërkimi intensiv prej 8 orësh.

Që në orët e para të mëngjesit të sotëm kanë nisur sërish kërkimet për gjetjen e trupave të pajetë të dy 20-vjecarëve të mbytur ditën e djeshme në lumin Ishëm. Kërkimet u përqendruan në një pjesë të lumit ku ishin grumbulluar shumë bidona plastikë. Është kërkuar edhe ndihma e zjarrfikësve dhe eskavatorëve për largimin e bidonave me qëllim nxjerrjen e dy të rinjve. Në vendngjarje shkuan edhe forcat RENEA, ndërkohë mësohet se zona ku u zhvilluan kërkimet ka  një sipërfaqe prej 100 metrash dhe është e thellë 4 metra.

NGJARJA
Dy të rinjtë Ervis Sali dhe Bledar Sinometi, të dy 20 vjecarë u mbytën aksidentalisht në lumin Ishëm në fshatin Likmetaj të Durrësit. Ngjarja e rëndë ndodhi dje rreth orës 18:15. Kanë qenë banorët e zonës, të cilët i panë të rinjtë për herë të fundit në lumë, e më pas lajmëruan policinë, e cila me të mbërritur në vendngjarje saktësoi se dy të rinjtë po mblidhnin bidona kauçuku e kanaçe, në breg të lumit. Po sipas burimeve policire, njëri prej tyre ka rrëshqitur aksidentalisht në lumë, ndërsa shoku i tij me ta parë ka tentuar t’i vijë në ndihmë por as ai nuk ka mundur të dalë prej lumit, pasi janë tërhequr nga rrjedha e ujit. Me mbledhjen dhe shitjen e bidonave të plastikës të rinjtë siguronin jetesën.
(ma.ar/el.me/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›