Peng vëllain në Greqi, për të paguar një gjobë 20 mijë euro
I marrin peng vëllain në Greqi dhe për lirimin e tij i kërkojnë 20 mijë euro, me pretendimin se ai i kishte borxh. Pavarësisht se i kërcënuari kërkoi ndihmën e policisë, personi që kishte ardhur nga Greqia për të marrë paratë e gjobës, ka arritur të shpëtojë dhe ende mbetet në kërkim. Bëhet fjalë për Luan Bliun nga Mirdita, i cili ka kërcënuar rreth një vit më parë një shtetas nga Tirana. Dosja në ngarkim të Bliut është dërguar në gjykatë, ndërkohë që po bashkëpunohet edhe me autoritetet e policisë greke për kapjen e tij.
Prokuroria për Krimet e Rënda ka dërguar në gjykatë kërkesën për gjykim ndaj Luan Bliut, 33 vjeç, nga fshati Prosek i Mirditës, i cili akuzohet për shtrëngim me anë të kanosjes për dhënie të pasurisë. Ai dyshohet se ka bashkëpunuar edhe me persona të tjerë, ende të paidentifikuar. Sipas dosjes penale, procedimi është regjistruar në bazë të referimit të veprës penale nga ana e Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Në bazë të këtij materiali rezulton se Arjan Katiraj ka bërë një kallëzim penal, ku ka deklaruar se më 28 maj 2009, në orën 22:30, ka pasur një telefonatë nga vëllai i tij i quajtur Agim, që ndodhet në Greqi, nëpërmjet një numri grek. Agimi i ka thënë se e kanë marrë peng dhe se duhet të gjente 20 mijë euro që ai të shpëtonte.
Një ditë më vonë, rreth orës 05:25 të mëngjesit, atë e ka marrë përsëri në telefon vëllai i tij dhe i ka thënë se duhet të paguante patjetër paratë, se gjërat ishin shumë keq. Po në këtë ditë, rreth orës 12:00, Arjan Katirajn e ka marrë në telefon një person i panjohur. Ai është prezantuar si djali i dajës së personit që ka marrë peng vëllain e Arjanit. Personi i panjohur i ka thënë se ka ardhur në Shqipëri për të marrë paratë e kërkuara. Në vazhdim të hetimit të çështjes ka rezultuar se Arjan Katiraj ka biseduar në telefon me përdoruesin e numrit dhe kanë lënë të takohen me qëllim lidhjen e një kontrate noteriale për pagimin e një shume parash për një kohë të caktuar, pasi, sipas pretendimit, Arjani nuk kishte ku t’i gjente paratë kaq shpejt.
Gjatë kësaj kohe, grupi hetimor ka përgjuar bisedat ambientale midis kallëzuesit dhe personit të dyshuar. Gjithashtu janë filmuar edhe vendet të cilat frekuentohen nga ana e të dyshuarit, si dhe automjeti i përdorur prej tij. Në periudhën që Luan Bliu ka qenë në përgjim dhe vëzhgim, ai ka komunikuar përsëri me Arjan Katirajn, duke i kërkuar të takohej me qëllim marrjen e parave. Të dy personat janë takuar dhe kanë biseduar. Por edhe gjatë këtyre takimeve, Bliu nuk është prezantuar me emër dhe nuk ka dhënë asnjë detaj në lidhje me gjeneralitetet e personit që pretendon paratë. Në këtë kohë, Katiraj ka biseduar me vëllain e tij, që mendohet se është marrë peng në Greqi dhe i ka thënë që personi nuk pranon të nënshkruajë deklaratë. Në përfundim deklarata nuk është hartuar, pasi Luan Bliu nuk ka pranuar të prezantohet se kush ishte. Në komunikimin në telefon me të vëllain, Arjani ka marrë vesh se i vëllai, Agim Katiraj, është liruar, por se paratë e kërkuara do të shkonin t`i merrnin për gjashtë muaj.
Gjatë takimeve të realizuara midis personit të dyshuar në Shqipëri dhe Arjan Katirajt, ky i fundit është kërcënuar me jetën e tij, me qëllim marrjen e parave. Pas verifikimeve të bëra nga bisedat e përgjuara në nëntor të vitit 2009, grupi hetimor ka mundur të identifikojë kërcënuesin, me emrin Luan Bliu, që sipas procesverbaleve ka bërë presion psikik mbi kallëzuesin, me qëllim marrjen e shumës prej 20 mijë eurosh.
Faktin se vëllai i të kërcënuarit është liruar, është konfirmuar nga vetë ai në bisedat telefonike të bëra me Arjanin. Gjithashtu, konfirmimi është bërë edhe nga biseda telefonike e zhvilluar me një kushëri të Arjanit në Greqi, i cili ka vajtur dhe ka takuar Agimin. Nga përmbajtja e bisedave telefonike, Agim Katiraj i thoshte të vëllait se i duheshin 20 mijë euro, pasi i kishte borxh dhe se nuk kishte mundësi t`i paguante. Ato para Arjani nuk i pagoi asnjëherë dhe tashmë Bliu duhet të përballet me drejtësinë për këtë gjobëvënie, ndërkohë që vazhdon puna për identifikimin e bashkëpunëtorëve të tij.
#