E Diel, 1 Nëntor 2026

Durrës, pedagogët part-time 7 muaj pa rrogë, në universitet bëhen investime

Pedagogët dyshojnë se paratë e tyre janë hedhur në investime të panevojshme
Rreth 50 pedagogë nuk janë paguar për orët e tyre të mësimit që kanë dhënë në Universitetin e Durrësit Aleksandër Moisiu. Pedagogët nuk kanë marrë pagat për gjithë periudhën e semestrit të parë, nga muaji tetor deri në fund të shkurtit të këtij viti. 50 pedagogë të jashtëm në sistemin part time, në 7 muaj punë nuk kanë përfituar asnjë lekë në Universitetin Aleksandër Moisiu. Mosardhja e fondit është motivuar me shumë arsye, por zyrtarisht nuk është pohuar se çka ndodhur realisht me këtë kategori lektorësh të auditorëve të universitetit. Ajo që së paku u është deklaruar edhe atyre pedagogëve që kanë qenë të interesuar të dinë se çpo ndodh u është thënë se problemi në fjalë është çështje ditësh. Por një deklarim i tillë ka lënë skeptik pjesën tjetër të pedagogëve, të cilët kanë hedhur dyshime për destinacionin e fondeve të dhëna për Universitetin e Durrësit, enkas për honoraret e semestrit të parë. Pedagogët kanë qenë në pritje gjatë gjithë kësaj periudhe, por nga banka ku universiteti Aleksandër Moisiu bën xhirimin e lekëve, ka patur gjithmonë përgjigje negative. Nuk kanë ardhur lekët!. Ndërkaq, në këtë universitet mësohet se fondet në fjalë janë shpenzuar për investime jo shumë efektive, ndërkohë që në shumë raste fondet e këtyre investimeve janë tejkaluar dhe nuk kanë qenë madje as të parashikuara dhe të mbështetura në ligj. Për momentin duket se viktima të shpërdorimit të fondeve janë pedagogët part-time, të cilët normalisht duhet të ishin paguar jo më vonë se një muaj pas dhënies së orëve të tyre që llogariteshin çdo javë. Ndonëse pagesa për një orë akademike nuk kalon të 400 lekët e rinj, shumë pedagogë ngase kanë pasur ngarkesë të dukshme duhet të përfitojnë shuma të jo të vogla. Në rregulloren dhe udhëzimet përkatëse lidhur me trajtimin financiar të kësaj kategorie mësohet se pedagogët e jashtëm marrin shpërblimin për orët e dhëna një muaj më pas. Pedagogë të interesuar kanë shkuar edhe më tej duke kërkuar nga instancat më të larta kontroll financiar për fondet që i janë dhënë këtij universiteti. Ky është rasti i parë që pedagogët e sistemit part time duhet të presin kaq gjatë për të marrë paratë që ua garanton ligji, ndërsa dyshimet e lëshuara lidhur me mundësinë e shpenzimit të tyre në një tjetër destinacion kanë lënë shteg të hapur për kontroll të shpejtë. Një problem thuajse i ngjashëm u vërejt gjatë semestrit të parë të këtij viti akademik, edhe në Universitetin e Shkodrës Luigj Gurakuqi. Edhe në këtë universitet, pedagogët u ankuan madje deri në kërcënim për bllokim të procesit mësimor, për arsye se nuk kishin marrë pagat për disa muaj. Qeveria aktuale ka proklamuar shpeshherë, suksesin e arritur sipas saj në arsim, duke nisur që me rritjen e pagave për mësuesit, rritjen e kualifikimit të tyre, ndryshimin e kurrikulave e ato në provimet e maturës shtetërore, të cilat në të vërtetë kanë hasur në jo pak kritika nga specialistët e arsimit. Ndërsa për problemet më imediate dhe jetësore që shqetësojnë personelin mësimor apo atë universitar, kjo qeveri është tepër larg për tu dhënë zgjidhje.  

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›