PS apel për herë të fundit: Dorëzoni listat e aplikantëve
TIRANE-PS i kujtoi sot kryeministrit Berisha afatin e fundit (31 Maj) që i ka vendosur Qeverisë për të paraqitur listat e kërkuara të votuesve. Kastriot Islami, Sekretari për Ceshtjet Zgjedhore në këtë parti doli sot në një konferencë për shtyp ku deklatoi se se mungesa e përgjigjes pas kësaj date do të thote se procesi ka dështuar dhe qeveria po programon manipulime.
“Nese nuk ka pergjigje, perfundimisht qeveria pergjegjese e fajtore per deshtimin e procesit”, tha Islami.
Në emër të PS ai kërkoi nga Ministria e Brendshme, “Listën elektronike me emër, atësi, mëmësi, mbiemër, datëlindje të votuesve me pasaportë, kjo e dhënë duhet të jetë e përditësuar me të dhënat deri në datën 28 maj 2009; nuk kërkojmë që në këtë listë votuesish të jepni asnjë të dhënë konfidenciale që mund të binte ndesh me mbrojtjen e të dhënave personale”
Islami kërkoi gjithashtu edhe listën elektronike me emër, atësi, mëmësi, mbiemër, datëlindje të 1 013 359 aplikantëve për letërnjoftimi, pikërisht atë shifër që deklaroi Ministri në konferencën për shtyp të datës 29 maj 2009.
“Me keqardhje më duhet të përsëris se situata e pajisjes se votuesve pa pasaportë me letërnjoftimi mbetet shqetësimi kryesor që rrezikon rëndë zgjedhjet e lira e të ndershme”, theksoi Islami gjatë konferencës për shtyp.
PS kërkon që Qeveria aktualisht të mos lejohen të aplikojnë votuesit me pasaportë, duke e konsideruar këtë si veprim të vonuar dhe të pavlerë, ashtu si vendimi për shtrirjen e rrjetit të stacioneve të aplikimit. Veprime që sipas socialistëve bëhen “për t’i hedhur hi në sy ndërkombëtarëve”. Kjo është një arsye tjetër thelbësore përse procesi ka dështuar. PSSH i ka kërkuar qeverisë dhe koncensionarit që në 12 janar të zbatojnë kontratën e firmosur në korrik 2008 ku parashikoheshin katër muaj për të përgatitur të gjithë njësitë e aplikimit, personelin dhe aksesoret përkatës në mënyrë që procesi i aplikimeve të niste në fillim të janarit 2009 në të gjithë vendin.
Islami akuzoi Ministrin e Brendshëm Nishani se me deklaratën e tij të djeshme për numrin e aplikantëve artikuloi zyrtarisht një trillim abuziv.
PS e cila deklaron se mbetet e angazhuar për zhvillimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme më 28 Qershor, porse në kuadër të shqetësimit për situatën me kartat ka vendosur që data 31 maj të jetë afati i fundit, kur pritet një përgjgije nga Ministri i Brendshëm për kërkesat e saj.
Në këtë kuadër, Islami shtoi se kjo nuk është formë presioni, porse është një mënyrë që ka zgjedhur PS “për të mos pranuar të shndërrohet në bashkëfajtore në administrimin e një procesi të dështuar e që për më tepër synon të manipulojë rezultatin e zgjedhjeve”.
“Në këtë rast përgjegjësia dhe fajësia do të jenë tërësisht të Qeverisë dhe të Kryeminitrit Berisha”, shtoi Islami.
(d.b/BalkanWeb)