LSI e Kavajës, fushata përqendrohet në fshat
Kryetari i degës së Lëvizjes Socialiste për Integrim në Kavajë, Idajet Xeka prej disa ditësh po vazhdon fushatën elektorale në disa komuna të Kavajës. Kryetari i kësaj partie në Kavajë, i cili është njëkohësisht edhe kandidat për deputet në listën e kësaj partie për qarkun e Tiranës, e ka filluar fushatën duke u përqendruar në problemet që preokupojnë më shumë popullsinë në zonat rurale të Kavajës.
Për këtë arsye, kryetari Xeka në bashkëpunim me shtabin elektoral të LSI-së, për Kavajën, drejtues i të cilit është Behar Zeneli, kanë bërë një takim me strukturat e LSI-së të komunave Synej, Golem dhe Kryevidh. Në këtë takim janë evidentuar temat e mprehta dhe që kërkojnë zgjidhje të menjëhershme për popullsinë e fshatit, veçanërisht problemet e bujqësisë. Pothuajse të gjithë fshatrat e komunave të Kavajës e kanë të lidhur jetën e tyre më bujqësinë, ndërkohë që problemet që janë evidentuar në takimin me strukturat kanë qenë; problemet në lidhje me ujitjen, mosfunksionimi i kanalit vaditës Peqin-Kavajë, mungesa e karburantit me çmim të ulët, mungesa e ambulancave dhe qendrave shëndetësore në fshatra, mungesa e ujit të pijshëm në shumë nga fshatrat komunave të thella, gjendja e shkollave, problemet e pronësisë së tokës, mbivendosjet, prodhimet bujqësore, subvencionet dhe masa e tyre nëse kanë përfituar etj. Në takimet e ditëve të fundit që janë zhvilluar në fshatrat Synej, Karpen, Rrakull, Stërbeg, Greth, Spille dhe Kryevidh kryetari i LSI-së, së Kavajës Idajet Xeka ka bashkëbiseduar me banorët e këtyre fshatrave për problemet e mësipërme.