Durrës përfundon numërimi, fiton PD
Ka përfunduar proçesi i i numërimit të votave në KZAZ nr 8 që përfshin qytetin e Durrësit, ndërsa ky proçes vazhdon në tre KZAZ e tjera të qarkut. Nga rezultatet e deritanishme në shkallë qarku kryeson PD me rreth 45,2 përqind të votave, ndaj 36.5 përqind të PS, ndërsa LSI ka siguruar deri tani rreth 7.3 përqind të votave. Proçesi i numërimit të 165 kutive të votimit në KZAZ nr 8 në pallatin e sportit "Ramazan Njala" të Durrësit ka përfunduar rreth orës 19.40, ndërsa vazhdon përpunimi i rezultatit të tre kutive të fundit deri në përpilimin e proçes-verbalit përfundimtar. KZAZ nr 8 ka punuar pa ndërprerje për rreth 40 orë duke nisur nga ora 04.00 e së hënës. Proçesi ka qenë krejtësisht i qetë dhe pa probleme. Ndërkaq vazhdon numërimi i votave në KZAZ 9 në shkollën "Naim Frashëri" të qytetit ku administrohen votat e bashkive të Sukthit dhe Manzës, si dhe komunave të Katundit të Ri, Maminasit dhe Ishmit; në KZAZ nr 10 në pallatin e kulturës së Shijakut, ku bashkë me votat e zgjedhësve të kesaj bashkie administrohen votat e komunave të Gjepalajt, Rrashbullit dhe Xhafzotajt, si dhe në KZAZ nr 11 në pallatin e kulturës së Krujës ku administrohen votat e bashkive të Krujës dhe Fushë Krujës, si dhe të komunave të Thiumanës, Bubqit, Niklës dhe Cudhisë. Parashikohet që proçesi i munërimit në shkallë qarku të përfundojë sot brenda orës 22.00. Në qarkun e Durrësit më 28 qershor u ftuan në votime mbi 290 mijë zgjedhës për 13 vende në Kuvendin e ardhshëm të Shqipërisë.
...