Këshilli i Evropës lë Shqipërinë pa votë
Kredencialet e delegacionit shqiptar në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës janë vënë në dyshim ditën e hapjes së këtij sesioni në Strasburg. Kështu njoftohet në faqen zyrtare të Këshillit të Evropës. Duke bërë të ditur pezullimin për verifikim të mëtejshëm, Mátyás Ewrsi i Hungarisë, drejtues i grupit ALDE tha: “Kemi arsye të besojmë se një nga anëtarët e Asamblesë sonë nga Shqipëria është mënjanuar në mënyrë të parregullt dhe në kundërshtim me rregullat.”
Komiteti i Rregullores së Asamblesë do të përgatisë një raport për këtë çështje, dhe Asambleja do të marrë një vendim përfundimtar të enjten në mëngjes. Këshilli i Evropës njofton në site-in zyrtar se delegacioni i ri shqiptar do të marrë pjesë provizorisht në seanca deri në momentin e vendimit, duke pasur të drejtë për të votuar dhe folur, por pa të drejtë vote për çështje që lidhen me të.
Por, ndërkohë, nga Strasburgu, anëtarët e delegacionit shqiptar japin një panoramë krejt të ndryshme mbi statusin që ka Shqipëria në Këshillin e Evropës, deri në marrjen e vendimit.
“Ne marrim pjesë në mbledhje, po nuk votojmë dot deri në një vendim të Komisionit të Rregulloreve dhe Procedurave”, - u shpreh deputeti socialist, Kastriot Islami.
Deputetja republikane, Lajla Përnaska, anëtare e delegacionit, thotë se është krejt e kundërta, pasi puna atje vijon normalisht.
Biberaj u shkarkua nga vetë Topalli pa një vendim të Kuvendit. Kryetarja e Kuvendit i nisi një letër Këshillit të Evropës, ku lajmëronte se Biberaj ka nisur një detyrë tjetër ndaj dhe do zëvendësohej. Ky i fundit u shpreh se nuk ishte njoftuar për vendimin e Topallit dhe se ai binte ndesh me rregulloren e Kuvendit.
Pas këtyre deklarimeve, Topalli publikoi në faqen e Kuvendit disa deklarata, sipas të cilave Biberaj kishte abuzuar me biletat e avionëve, ndaj dhe ishte shkarkuar.
Çështja ka shkaktuar një tërmet në politikën shqiptare.
Nuk zhvillohet mbledhja e grupit të PD, ishin paralajmëruar debate
Dje ishte planifikuar që të zhvillohej një mbledhje e grupit parlamentar të PD, në të cilën pritej të kishte debate për çështjen Biberaj. Një prej deputetëve të kësaj partie, Besnik Mustafaj, kishte paralajmëruar se do e ngrinte problemin në mbledhje. Por mbledhja nuk është zhvilluar. Kryetari i PD, Sali Berisha, ka marrë kryetaren e Kuvendit dhe së bashku janë nisur për përurime në veri të vendit.
Mustafaj: Vendimi i Topallit dëmton rëndë imazhin e PD në Perëndim
Deputeti demokrat, Besnik Mustafaj, tha dje se në rastin Biberaj, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka shkelur dy herë detyrimet e saj, njëherë duke mos i paguar deputetit Biberaj shpenzimet e udhëtimit për në Asamblenë Parlamentare të KE, dhe së dyti ka shkelur rregulloren e Kuvendit duke e bërë fakt të kryer përjashtimin e tij.
“Njëri nga baballarët e demokracisë evropiane në shekullin XX, Churchill, thotë se në demokraci, shkelja e procedurave është simptomë e rrezikut për të shkelur vetë rendin demokratik. Unë i besoj kësaj porosie të Churchill.
Po ashtu, kryetarja Topalli ka nëpërkëmbur personalitetin e një deputeti, duke paraqitur si abuzime financiare një fakt që përbën, siç e thashë, shkelje nga ana e vetë zonjës Topalli të detyrimeve të saj si kryetare Kuvendi. Biletat e papaguara të zotit Biberaj nuk janë aspak abuzime financiare nga ana e tij.
Zonja Topalli ka shkelur rëndë etikën parlamentare, duke ekzekutuar një vendim pa e njoftuar paraprakisht të interesuarin, e që është zoti Biberaj.
Natyrisht që ky veprim i zonjës Topalli nuk i shërben aspak imazhit të demokracisë shqiptare në organizatën më të madhe parlamentare të Evropës”, - tha Besnik Mustafaj.
Ai shtoi se vendimi dëmton imazhin e Partisë Demokratike përpara kolegëve evropianë.
“Unë i bëj thirrje zonjës Topalli t’i përmbajë emocionet e veta në këtë periudhë përmbyllëse të kësaj legjislature dhe të kryejë me seriozitet detyrimet e mandatit që i kemi dhënë, në mënyrë që puna e saj t’i shërbejë rritjes së autoritetit të PD. Përfitoj nga ky rast të theksoj konsideratën time të lartë për kolegun Biberaj. Ai është tashmë një nga personalitetet e spikatura politike të Partisë Demokratike dhe në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës ka çuar vlerat më të mira të demokratëve, gjë që është shpërblyer me besimin që i kanë dhënë kolegët përfaqësues të 47 parlamenteve evropiane. Fakt është se zoti Biberaj ka pasur gjatë këtyre tri vjetëve përgjegjësi të larta, që nuk i ka pasur kurrë ndonjë deputet shqiptar në ndonjë organizatë ndërkombëtare parlamentare. Ai ka qenë deri nënkryetar i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës”, - e mbylli deklarimin e tij zoti Mustafaj
PS: Vendimi i KiE për votën e Shqipërisë, unik në historinë e tij
Partia Socialiste tha dje se është hera e parë që në Këshillin e Evropës ndodh që një vendi anëtar t’i hiqet e drejta e votës.
Zëdhënësja e Kryesisë së PS, Mimi Kodheli, tha se shqiptarët po paguajnë çmimin e mendësisë komuniste të Topallit dhe Berishës. “Jemi të keqardhur thellësisht për një tjetër njollë që Sali Berisha e Jozefina Topalli i vunë Shqipërisë në sytë e botës, duke na keqprezantuar të gjithëve përpara Këshillit të Evropës. Vendimi i Komisionit të Rregulloreve dhe Procedurave të Këshillit të Evropës për të kaluar në një fazë tranzitore të quajtur “pezullim” mes Këshillit të Evropës e Shqipërisë dhe për t'i hequr delegacionit të vendit tonë të drejtën e votës për vendime që kanë të bëjnë me Shqipërinë, në këtë Këshill, është çmimi që ne të gjithë i paguajmë mendësisë komuniste që mishëron politika e vjetër primitive e Sali Berishës dhe shpurës së tij. Është hera e parë që kjo ndodh për një vend anëtar i Këshillit të Evropës.
Sot, kur na ndajnë edhe 153 ditë nga fundi i kësaj epoke, Sali Berisha dhe Jozefina Topalli na treguan edhe një herë se do të mbeten deri në fund udhëheqësit që nuk meritojmë, politikanët që nuk na duhen, njerëzit që për interesat e përfitimet e tyre personale dhe larjen e hesapeve të tyre klanore sakrifikojnë çdo interes të vendit e të qytetarëve pa dallim”, - tha Kodheli.
Meta: Problemet e brendshme në PD po transferohen te raportet me partnerët e huaj
Kryetari i LSI, Ilir Meta, tha dje se problemet e brendshme të PD po kthehen në probleme të raporteve të Shqipërisë me organizatat ndërkombëtare. “Ne na vjen keq për një debat absurd që është hapur, i cili nuk është më një çështje e problemeve që mund të jenë brenda Partisë Demokratike, por që është kthyer në një problem të raporteve të Shqipërisë me Këshillin e Evropës dhe Asamblenë Parlamentare. Mendoj se askush nuk duhet të cenojë personalitetin dhe dinjitetin e raporteve të vendit me institucionet ndërkombëtare. Nuk e kuptoj se si mund të anashkalohen të gjitha procedurat parlamentare dhe se si në mënyrë arbitrare të zëvendësohet një përfaqësues i miratuar nga parlamenti, thjesht me një nënshkrim të kryetares. Por, nuk është hera e parë që shkelen procedurat parlamentare, gjë që nuk ndihmon as parlamentin të funksionojë më mirë, por që, për fat të keq, në rastin konkret, krijon dhe një problem imazhi për vendin tone”, - tha Meta.
Koçi: Politika e përjashtimit po dëmton Shqipërinë
Kryetari i PS ’91, Petro Koçi, tha dje se politika e përjashtimit po rrënon imazhin e Shqipërisë. Duke komentuar rastin Biberaj, Koçi tha se teknologjia Berisha do marrë fund me zgjedhjet e qershorit. “Politika e përjashtimit, e kthyer tashmë në sistem edhe në kartën themelore të shtetit apo në kodin politik sundues në vend, po sjell rrënimin e parametrave të demokracisë dhe imazhit të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.
Modeli politik i përjashtimit sjell vetëm regres demokratik dhe konsolidim të autoritarizmit.
Teknologjia Berisha e zbatuar në rastin Biberaj mbetet një teknologji e rrezikshme, pavarësisht autorit apo partisë ku kjo teknologji përdoret.
Politika progresiste dhe qytetarët kanë shansin të kuptojnë se fryma e përjashtimit që sa vjen e zgjerohet në sistemin politik të vendit, duhet nxjerrë nga skena me kurajë dhe vendosmëri nëpërmjet votës në zgjedhjet e ardhshme”, - tha Koçi.