Dhuna e regjimit hibrid të argitokracisë
Gazetaria merret me apologji politike, ndërsa politikanët merren me gazetarët e padëgjueshëm. Kështu mund të përshkruhet raporti media-politikë në Shqipëri këto ditët e fundit. Vërtet është neveritës fakti se si një pushtet i tërë është sensibilizuar dhe mobilizuar për të zhdukur një tempull gazetarie, vetëm për shkakun se ua ka nxjerrë në shesh brekët e palara pushtetarëve aktualë. Kjo kryqëzatë e ndërmarrë nga qeveria Berisha kundër Mero Bazes dhe gazetës “TemA” na e rikujton vitin 1997 dhe djegien e redaksisë së gazetës “Koha Jonë”, por e gjithë kjo veprimtari destruktive shoqërore, jo vetëm që nuk e nxin Mero Bazen, por edhe më shumë e ngre lart atë së bashku me gazetën “TemA” dhe në anën tjetër e paraqet Berishën si një recidivist të pariparueshëm në lidhje me krimet e tij ndaj medias. Personalisht mendoj se Berisha e ka nënçmuar Mero Bazen dhe e ka barazuar atë me cerberët e tij medialë, por ja që ndodh ndryshe, z. Baze del e kundërta dhe dihet, Berisha si një komunist në petkun e demokratit, së pari nuk mund t`i pranojë gabimet e veta, qoftë edhe para vetvetes dhe, së dyti, te tabori i tij nuk ka alternativë tjetër përpos mendimit të Berishës dhe vetëm Berishës. Si një lexues i rregullt i versioneve online të gazetave që botohen në Shqipëri, shpeshherë e kam pyetur veten se ku gaboi Mero Baze. E para e punës Mero Baze gaboi, kur zbuloi skandalin dhe përmendi emrin e Damir Fazlliçit. E dyta, ai doli haptazi kundër regjimit të ri në Shqipëri, i cili quhet Argitokraci, ma merr mendja se çdo shqiptar do të kishte dashur ta dinte përkufizimin e regjimit që po na agon në skenën politike në Shqipërinë e lodhur nga ad hoc regjimet. Argitokracia është regjim, ku keqpërdorimi ekonomik është ligj dhe zakonshmëri, si dhe privilegj i një grupi të caktuar njerëzish, të cilët në mënyrën më kriminele shfrytëzojnë burimet e pronës publike, të cilat u përkasin qytetarëve. Po ta lëmë më anash Berishën dhe maninë e tij për të kontrolluar gjithçka, se një ditë vetë e keqja që ka mbjellë do t`ia hajë kokën, ashtu siç ia hëngri në vitin 1997.
Më shumë më brengos fakti që mediet u morën me këtë problem shumë pak, e përmendën rastin sa për ta kaluar radhën, sikur kolegët dhe homologët e Bazes të ishin vërtet solidarë, deri më tash, ata do t`i kishin bojkotuar të gjitha konferencat e qeverisë dhe funksionarëve të tjerë politikë që i takojnë pushtetit, derisa të shtrëngohej pushteti që ta linte rehat gazetën “TemA”. Por këtë jo vetëm që nuk e bënë, por madje tinëzisht edhe janë gëzuar, me siguri ata më ziliqarët edhe do kishin thënë se ia hëngri kokën padroni i tij. Por e kanë gabim, padroni i Mero Bazes është lexuesi i zakonshëm shqiptar dhe jo Berisha, Nano apo Rama, pikërisht lexuesi shqiptar atë e bëri një supervlerë të gazetarisë shqiptare. Por edhe Mero Baze nuk u ngeli borxh lexuesve të tij, ai e kundërshtoi haptas shfrytëzimin e pronës publike nga biznesmen me aromë krimineli. Kjo që bëri ai është një veprim patriotik, ia zbuloi këmbët gjarprit serbo-boshnjak dhe i servoi një sinqeritet të jashtëzakonshëm opinionit. Për këtë atë e çmoj unë personalisht dhe për këtë e çmon edhe çdo lexues tjetër shqiptar. Siç duket, fenomeni që ka pikasur vetë Baze dhe që mban emrin e antiopozitarizmit është duke e ngrënë të gjallë, por ky fenomen nuk shtrihet te populli, por te të ashtuquajturat elita, të cilat nuk janë asgjë tjetër përpos një grupi laviresh që shiten te çdo qeveri. Sot, duhet ta pranojmë faktin se askush nuk do kishte dashur të ishte në lëkurën e tij, por Baze e tejkaloi vetveten së bashku me redaksinë e tij, ata sot janë Prometeu kolektiv i shoqërisë shqiptare, të cilët na ngrohin me të vërtetat që shkruajnë në faqet e gazetës së tyre. Le t’iu urojmë shumë fat dhe sukses!