E Diel, 1 Nëntor 2026

Durrës, plazhi pa para vetëm në 100 metra bregdet

Qytetarë, mos i ngulni çadrat aty ku ekziston tabela me mbishkrimin "Plazh publik, Bashkia Durrës", pasi do të hasni në surpriza të pakëndshme. 

DURRES/ OERD ULQINI

Pas pesë minutash do të vijë dikush për t'ju kërkuar deri në 400 lekë të reja kundrejt një dite plazh. Madje, edhe nëse do të ndiqni shigjetën e tabelës, përsëri ajo do t'ju çojë drejt një plazhi privat... Në Durrës kanë nisur të ndjehen "ethet e rërës". Afro 130 plazhe private janë licencuar nga Bashkia së fundmi, një numër ky më i lartë se ai i vitit të kaluar, por e keqja nuk mbaron këtu, pasi sipërfaqet e parcelave që nuk i ruan askush janë dyfishuar në mënyrë abuzive. E vetmja zonë ku plazhi mund të bëhet pa para është një rrip i ngushtë toke, i gjendur mes sektorit "Teuta" dhe anijes së mbytur. Ai nuk është më i gjatë se 100 metra dhe në të parashikohet "akomodimi" i të gjithë pushuesve që nuk kanë para. "Kjo është çmenduri. Ky rrip i ngushtë toke është i vetmi vend ku plazhi është lënë i lirë. Ai që tani është mbushur nga çadrat, po në korrik apo gusht çfarë do të ndodhë? Njerëzit do të ngjeshen këtu si sardele. Bashkia duhet të marrë menjëherë masa për lirimin e plazheve private", u shpreh një qytetare. Plazhet private në Durrës kanë zaptuar masivisht brezin e rërës, duke sjellë pakënaqësinë e shumë pushuesve. Çudia arrin deri në atë pikë, ku çadrat dhe shezllongët privatë kanë "mbirë" edhe në ato parcela ku Bashkia ka vendosur mbishkrimin "plazh publik". Burimet nga bashkia shprehen se, numri i parcelave të licencuara gjatë këtij viti është thuajse i njëjtë me atë të vitit të shkuar, por problem mbetet abuzimi i privatëve me sipërfaqet e vëna në dispozicion. Bashkia premton se shumë shpejt do të nisë një kontroll i Policisë Bashkiake në sipërfaqet e shumëfishuara në mënyrë të jashtëligjshme. Ndërkohë edhe prefekti e ka ngritur zërin kundër abuzimit që po ndodh me plazhet private. Klodian Pajuni është shprehur se, "të gjithë shezllonet e vendosura abuzivisht do t'i nënshtrohen sekuestros konservative deri në fund të sezonit veror". Kreu i Prefekturës ka garantuar qytetarët se shumë shpejt do të nisë një aksion i koordinuar kundër fenomenit të zaptimit të plazheve publike. Burime vendore saktësuan se raporti korrekt mes plazhit privat dhe atij publik duhet të jetë i balancuar në masën 50% me 50%, por aktualisht vetëm 1/20 e zonës nga Përroi i Agait e deri në sektorin "Teuta" është e lirë për pushuesit. Sipërfaqja e një plazhi privat të licencuar nga Bashkia nuk duhet të jetë më e madhe se 200 metra katrorë. Brenda këtij territori është përcaktuar qartë edhe numri i çadrave, i cili nuk duhet të jetë më i lartë se 32. Mirëpo ka ndodhur shpesh që administratorët e këtyre plazheve t'i shtrijnë çadrat dhe shezllongët përtej parcelës prej 200 metrash katrorë, duke prodhuar në këtë mënyrë konflikte me qytetarët. Ata shprehin indinjatë lidhur me faktin e pushtimit pa kriter të rërës. Gjatë verës së vitit të kaluar përgjatë Gjirit të Durrësit u licencuan për plazhe private 120 parcela. Ato i sollën arkës së bashkisë një shifër rekord prej 150 mijë dollarësh në 90 ditë. Pavarësisht faktit se aplikimi i plazheve private në Durrës bëhet prej vitesh, akoma nuk është gjetur formula e duhur e raportit të plazhit publik me atë privat.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›