E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tualet & Prezervativ

Edmond Tupja 

Ja dy fjalë, shumë të përdorshme në shqipen e sotme, që na vijnë nga frëngjishtja. E para, që bënte e bën ende pjesë në fjalorin e përkujdesjes së femrës shqiptare për vetveten (p.sh. “ajo sot nuk ka bërë tualet për shkak të zisë, erdhi në punë me tualet të rënduar, në raste të tilla femra bën pak tualet” etj., etj), nuk figuron çuditërisht fare në fjalorët e gjuhës shqipe të viteve të ndryshme, çka bie në kundërshtim me vetë misionin e fjalorëve që, si parim, duhet të pasqyrojnë gjithë pasurinë dhe larminë leksikore të një gjuhe. Shumëkush, me të drejtë, mund të kërkojë të mësojë arsyet e kësaj mungese, të cilat mund të jenë të ndryshme (p.sh. nën diktaturën feudalo-komuniste të Enver Hoxhës, femra që bënte sado pak tualet mund të shihej me sy të dyshimtë për “moralin” e saj, çka, shprehur më troç, do të thotë se ajo, me tualetin e saj, mund ta eksitonte mashkullin seksualisht të babëzitur shqiptar); gjithsesi, më në fund erdhi dita – para dy vjetësh – kur fjala “tualet” e fitoi të drejtën e qytetarisë në fjalorin e gjuhës shqipe, atë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, botuar në Tiranë në vitin 2006. Fatkeqësisht, kjo fjalë, që përdoret prej dekadash në shqipe (për herë të parë e kam dëgjuar nga goja e njërës prej gjysheve të mia para pesëdhjetë vitesh) nuk ka hyrë në fjalorin e sapopërmendur me kuptimin e saj parësor, por me atë të fundit fare, pra, me kuptimin “nevojtore”. Sigurisht, të dy kuptimet e kanë një lidhje: para pasqyrës, femra bën tualetin e saj: pastron dhe rregullon fytyrën, stoliset e zbukurohet, kurse në nevojtore, si femra ashtu dhe mashkulli, pasi kryejnë nevojat fiziologjike, pastrojnë organet e ndotura nga kryerja e këtyre nevojave.
Le të më lejojë lexuesi i vëmendshëm dhe i paanshëm i rubrikës sime, t’i përfundoj këto konsiderata leksikografike modeste përsa i përket fjalës “tualet” me një parandjenjë të çuditshme që prek fushën e qeverisjes. Dihet që, jo rrallëherë, fjalët që ngjajnë pjesërisht ose rimojnë me njëra-tjetrën, mund të pësojnë shndërrime kuptimore pikërisht për shkak të kësaj ngjashmërie tingëllore; p.sh., sot ka disa politikanë gjysmë-injorantë në rrafshin gjuhësor, që ngatërrojnë fjalën “objektiv” (qëllim) me atë “objeksion” (kundërshtim); në këtë kuadër, druaj se mos, një ditë, fjala “tualet”, tek rimon me fjalën “kabinet”, do të bëjë që kjo e fundit të marrë kuptimin “nevojtore”, për më tepër që, në frëngjishte, fjala “cabinet”, në shumës, ka pikërisht këtë kuptim: atëherë, sa herë do të lexonim nëpër gazeta togfjalësh të tillë si “kabineti i ministrit”, “kabineti qeveritar”, “shefi i kabinetit” e të tjera shprehje që lidhen me jetën politike në Shqipëri, do të na krijohej përshtypja se një erë e pakëndshme me origjinë nga rropullitë njerëzore po valëvitet rreth e përqark nesh.
Sidoqoftë, le të kthehemi për të fundit herë te fjala “tualet”: ajo nuk është e vetmja që u përzu nga fjalorët e gjuhës shqipe ndër vite; këtë internim e vuajtën shumë e shumë fjalë, shumë e shumë shprehje, ndër të tjera, edhe të sferës erotike, mjaft prej të cilave e vuajnë edhe sot e kësaj dite. Le të marrim, p.sh. fjalën “prezervativ”: po ashtu si edhe fjala “tualet”, kjo fjalë nuk figuron në asnjë prej fjalorëve të lartpërmendur; sigurisht që sendi i dobishëm “prezervativ” (po ju kujtoj përkufizimin e tij që e kam përkthyer pasi e nxora nga versioni elektronik i fjalorit “Petit Robert”, Paris 2001: kapuç prej kauçuku a lënde plastike shumë të fushkët, i cili i vishet penisit për t’u mbrojtur nga sëmundjet që përcillen seksualisht ose për të shmangur shtatzëninë e padëshirueshme; sinonime: kondom, kapotë), ky send, pra, ekziston dhe përdoret prej shumë e shumë dekadash në Shqipëri (vetë blija të tillë herë pas here kur isha ende student), por hartuesit e fjalorëve tanë e kanë dënuar me mospërmendje, me harresë në një kohë që fjala “sida” figuron në fjalorin e gjuhës shqipe të 2006. Lajthitje e përbindshme: të vetmit mjet që na mbron nga kjo sëmundje tani për tani e pashërueshme, nuk i përmendet emri në fjalor! Kjo është arsyeja që një ditë të bukur do t’i drejtohem Ministrit të Shëndetësisë dhe Urdhrit të Mjekëve të Shqipërisë për t’ua mbushur mendjen që të hedhim në gjyq Akademinë e Shkencave për pengesa në luftën kundër sidës, luftë e cila kalon detyrimisht përmes sensibilizimit të të rinjve (dhe të pleqve ende të aftë seksualisht) lidhur me domosdoshmërinë e përdorimit të prezervativit si i vetmi mjet i suksesshëm për t’u mbrojtur nga epidemia e shekullit! Dhe ky sensibilizim nis pikërisht me përmendjen e emrit të prezervativit. Së fundi, një ditë po aq të bukur do t’i drejtohem Klerit të lartë katolik në Shqipëri që të ndërhyjë pranë Selisë së Shenjtë në mënyrë që Prezervativi ende i persekutuar, të cilin akademikët shqiptarë janë gati ta djegin në turrën e druve si heretik në ereksion (për më tepër që, me sa duket ata nuk kanë pasur, nuk kanë e nuk do të kenë nevojë për të për arsye që vetëm ata i dinë), në mënyrë, pra, që Prezervativi, ky i martir engjëllor, që i kundërvihet me vetëmohim Sidës djallëzore, të shenjtërohet dhe të thirret, tash e tutje, Shën Prezervativi! Amin!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›