E Diel, 1 Nëntor 2026

Durrës, rriten shifrat e vjedhjeve, 8 telefonata në polici brenda 24 orëve

Është rritur ndjeshëm numri i vjedhjeve të lokaleve dhe banesave në lagjet e qytetit të Durrësit. Mesatarisht në sallën operative të policisë mbërrijnë 7-8 telefonata në 24 orë për denoncimin e vjedhjeve apo tentativave për vjedhje. Shërbimet e gatshme kanë mundur të kapin në kushtet e flagrancës disa të implikuar në këtë aktivitet që përbën vepër penale, por fakti se një pjesë e hajdutëve janë minoren e zbeh së tepërmi goditjen e rasteve. Burime policore dëshmojnë se të mitur, fëmijë të braktisur dhe të tjerë në vështirësi ekonomike familjare shfrytëzohen nga persona ordinerë me të kaluar të dyshimtë apo të kaluar kriminale. Fëmijët vendosen në skalionin e parë, ndërsa shtytësit e vjedhjeve të banesave, restoranteve, dyqaneve dhe enteve shtetërore rinë të tërhequr për ti shpëtuar prangave. Shqetësimi i rritjes së kriminalitetit të vjedhjeve ka tërhequr vëmendjen e policisë, prokurorisë dhe gjykatës. Të tre institucionet e mësipërme e kanë cilësuar aspak të qetë situatën lidhur me rastet e vjedhjeve, pasi numri i tyre ka ardhur gjithnjë në rritje pavarësisht rritjes së shkallës së zbulimit dhe të ndëshkimit. Më shumë se 350 raste vjedhjes kanë ndodhur në vitin e kaluar, duke detyruar policinë të hapin dosje, ndërsa të tjera kallëzime nuk e kanë kaluar pragun  për në gjykatë pasi nuk është bërë e mundur gjetja e provave materiale apo akuza ndaj autorëve të dyshuar. Një sërë operacionesh siç është ai së fundi i koduar Bregdeti apo edhe të tjera kanë rezultuar se hajdutët në të shumtën e rasteve janë fëmijë, kurse autorët e vërtetë qëndrojnë në vëzhgim për të mos rënë në prangat e policisë. Shtëpitë e banimit janë më të ndëshkuarat ngase hajdutët përmes thyerjes kanë marrë para, orendi, pajisje elektroshtëpiake, bizhu etj. Pas tyre vijnë lokalet e të gjitha llojeve edhe ato të lojërave të fatit, në të cilat vidhen kasat e pajisjet. Qyteti i Durrësit është i frikshëm edhe për pronarë të mjeteve. Mesatarisht 7-8 autovetura vidhen në javë në qytetin bregdetar, duke përfunduar në pika servisi e varreza automjetesh. Vjedhjet kryhen zakonisht në zona periferike si në Currila, Spitallë, Shkozet, lagjen 17 e lagjen 18, Plazh, Arapaj etj. Ndonëse edhe në këto pjesë të Durrësit patrullimi është i dukshëm dhe i ndejshëm është e pamundur kapja e autorëve në kushtet e flagrancës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›