Radhë të gjata në repartin e okulistikës për vizitë, mungojnë mjekët
Shumë pacientë të ardhur nga rrethet, ende vuajnë mungesën e mjekëve për të kryer vizitat në QSUT. Në ambientet e pavijonit okulistik, pacientët presin me orë të tëra në radhë për të bërë një vizitë, ndërkohë që mjekër kanë braktisur zyrat e tyre brenda orarit të caktuar. Pacientët ankohen për radhën e gjatë dhe pamundësinë për të qëndruar.
Mungesa e mjekëve brenda orarit të vizitave është bërë një fenomen i zakonshëm në QSUT. Arsyeja e parë është dypunësimi i mjekëve, urgjencat he mungesa e inspektimit nga organet kompetente. Meqë pjesa më e madhe e pacientëve që presin vijnë me rekomandim nga rrethet, këtyre të fundit u duhet disa ditë për të kryer vizitën pranë kësaj qendre. Ky fenomen, ka qenë objekt diskutimi i vazhdueshëm, jo vetëm për mediat dhe qytetarët e thjeshtë, por edhe instancat më të larta të Ministrisë së Shëndetësisë. Aktualisht, shërbimi shëndetësor që u ofrohet pacientëve nga rrethet në QSUT, len shumë për të dëshiruar, sepse nuk po respektohet asnjë rregull që është përcaktuar në kartën e pacientit. Ditët dhe orari i kryerjeve të vizitave është nënvizuar qartë prapa dyerve të klinikave dhe për shkeljen e këtij orari nuk mban kurrkush përgjegjësi. Ndërkaq, pacientë që presin janë të moshuar, përgjithësisht pensionistë dhe të pamundur fizikisht, edhe për shkak të sëmundjes, për të përballuar radhën e gjatë në pritje të mjekut, megjithatë, pritja është e vetmja mënyrë për të fituar luftën me sëmundjen e tyre. Ndërkaq, mungesa e mjekëve dhe radha e pacientëve nuk është evidente vetëm në pavijonin okulistit, por edhe në pavijone të tjera, si në atë të reumatologjisë, dermatologjisë etj. Kjo dëshmohet thjeshtë, kushdo që hyn në këto pavijone në orarin e kryerjes së vizitave, shikon radhët e pacientëve të moshuar para zyrave ku duhet të zhvillohen vizitat. Kështu shkelet kontrata e nënshkruar me shtetin nga ana e personelit mjekësor dhe u shtohen më tej vuajtjet pacientëve shpresëprerë.