Vlorë, rruga në rikonstruksion shkatërron varrezat, ankohen banorët e Vllahinës
Ndërmarrja e Nxjerrjes së Naftës në Vllahinë të rrethit të Vlorës po ndërton një rrugë për të lidhur dy sektorë të saj. Por ky ndërtim ka prishur varrezat e një fshati të tërë dhe tashmë kockat e tre varreve janë sheshit. Banorët e fshatit kanë bërë të gjitha përpjekjet e mundshme për të mos lejuar prishjen e këtyre varrezave ose kohën dhe shpenzimet për ti spostuar ato në një vend tjetër, por asnjë kërkesë e tyre nuk është marrë parasysh dhe rruga, ndonëse është pezulluar përkohësisht nga protestat e këtyre banorëve, do të vazhdojë. Kjo ndodh në fshatin Llapaj të komunës së Vllahinës.
Siç tregojnë banorët, rruga që lidh sektorin e dytë me sektorin e parë kalon tërësisht mbi varrezat e vjetra të fshatit në fjalë. Këtu janë më shumë se 50 varre ku prehen eshtrat edhe të babagjyshëve të atyre që vazhdojnë të jetojnë ende në fshat. Mirëpo ndërtimi i kësaj rruge, nisur pa pyetur asnjë në këtë fshat, i ka prishur këto varreza dhe tashmë eshtrat e tre prej varreve janë sheshit. Ato janë grumbulluar nga vetë të afërmit e këtyre banorëve dhe ruhen prej tyre. Dilo Xhelili, njëri prej banorëve që këtu ka eshtrat e të parëve të tij, ndonëse tashmë jeton në qytetin e Vlorës tregon se kolektivisht si banorë të fshatit nuk kanë lënë derë pa trokitur për të gjetur një zgjidhje për këtë problem por askush nuk merr përsipër zgjidhjen e tij. Ai tregon se varrezat janë qindra vjeçare dhe aty edhe sot e kësaj dite varrosen edhe pleq të vjetër të këtij fshati që nuk jetojnë më në fshat, por prej vitesh janë larguar në zona të tjera. Shumë prej pleqve na e lënë amanet që kur të ndërrojnë jetë të shkojmë dhe ti varrosim tek varret e të parëve të tyre dhe ne ua mbajmë amanetin dhe shkojmë dhe ua bëjmë aty edhe zakonet e përmotshme edhe varrin. Mirëpo ato kanë filluar ti prishin për hir të rrugës që po ndërton NNN Vllahinë, pa na pyetur asnjë prej nesh si banorë të fshatit, ankohen banorët e këtij fshati, të cilët shtojnë se nuk janë kundër ndërtimit të rrugës sepse ajo në fund të fundit progres është, por më parë të sistemohen varret e të parëve të tyre. Ata tregojnë se kanë trokitur në zyrat e kësaj ndërmarrjeje, edhe në prefekturë dhe qark dhe kanë kërkuar kohë për heqjen e varreve të të parëve, një vend tjetër varrimi dhe shpenzime për spostimin e këtyre varreve, por asnjë prej këtyre kërkesave nuk është marrë parasysh. Ndërkaq, ata kanë vendosur fshatçe që të mos lejojnë vazhdimin e punimeve të rrugës, edhe pse janë edhe të ndërgjegjshëm që nuk është kjo zgjidhja më e mirë. Për më të mirën ata kërkojnë ndihmën e institucioneve vendore.