Durrës, rrugëve kryesore u del tabani
Rrugëve kryesore në Durrës ka nisur t’u dalë tabani. Kjo, pasi punimet e firmave dhe individëve kanë shkaktuar prishjen e trotuareve dhe gjithçkaje që krijon lehtësimin e kalimit të këmbësorëve dhe makinave. Një investim në një nga rrugët kryesore të qytetit e ka transformuar zonën pranë qendrës në një kaos total, për shkak të fluksit të madh të qarkullimit të mjeteve. Rruga “Aleksandër Goga” ka paralizuar aktivitetin në pjesën kryesore të qytetit ku gjendet edhe godina e Bashkisë, Prefektura, Qarku, Gjykata, Prokuroria dhe shëtitorja e qytetit. Aksi rrugor është shkatërruar në total, duke u bërë edhe pengesë serioze në trafikun e mjeteve. Për rindërtimin e rrugës që nis tek prefektura për të përfunduar në Spitallë, në bashki deklarojnë se “janë gati të investohen 2 milionë dollarë dhe se ka përfunduar tenderimi”. Por në rrugë nuk duket asnjë mjet punues, veç një makinë gërryese asfalti dhe dy kamionë që transportojnë mbetjet nga asfalti i dëmtuar. Rruga është 6.5 km e gjatë dhe pas vitit 1996 ka ngrënë miliona lekë për t’u ribërë, ndërkohë që mbetet ndër rrugët më problematike. Problematike paraqitet rruga tek kryqëzimi pranë Drejtorisë së Policisë së Qarkut, në vendin e quajtur “Dyli”, një tjetër kryqëzim i dëmtuar rëndë nga mjetet e rënda, pranë SIAC, tek “Makaronat” dhe deri në Spitallë. Gropat e mëdha, dëmtimi i asfaltit nga mjetet e tonazhit të rëndë që përshkojnë këtë rrugë për në Porto-Romano, trajlerat e panumërt dhe botet me karburant e gaz kanë prishur shumë strukturën e rrugës. Nga ana tjetër, në të gjithë gjatësinë e saj nuk ka asnjë kapak pusete të kanalit që përshkon rrugën mes për mes. Rruga “Aleksandër Goga” është ndër më kryesoret dhe shumë e rëndësishme, pasi në gjatësinë e saj gjendet spitali rajonal dhe dy vendqëndrimet e varrezave qytetëse, duke mbetur rruga më e rrahur gjatë gjithë ditës dhe natës. Kjo rrugë është riparuar e arnuar disa herë, por asgjë nuk është zgjidhur duke groposur në baltë të gjitha investimet. Pakujdesia e drejtuesve të mjeteve ka bërë që shumë prej tyre të përfundojnë në gropat dhe në pusetat e rrugës, ndërsa qytetarë me biçikleta, motorë apo edhe këmbësorë kanë pësuar dëmtime serioze. Për të shpëtuar nga fatkeqësitë, banorët që kanë shtëpitë pranë këtyre pusetave të rrugës kanë vendosur në mes të gropës goma të mëdha, kartonë, shkurre, teneqe, shtylla dhe çfarë kanë mundur për të tërhequr vëmendjen e drejtuesve të mjeteve dhe qytetarëve. Bashkia në raste të tilla ka qëndruar indiferente, ndërkohë që ajo nuk ka ndërhyrë as në ato pjesë rruge apo trotuare që janë dëmtuar qëllimisht. Si në këtë rrugë edhe tek rruga “Mujo Ulqinaku”, firmat kanë prishur në mënyrë të qëllimtë rrugën, trotuarin, ndriçimin rrugor dhe gjelbërimin, duke mos marrë përsipër asnjë lloj kostoje. Edhe pse bashkia ka pasur zëra qytetarë që kanë protestuar ndaj këtyre rasteve, asnjë lloj reagimi nuk ka ardhur nga institucioni duke u lënë shteg subjekteve të mos marrin përsipër koston e riparimit. Nga ana tjetër, kryesisht në rrugën “Aleksandër Goga”, por jo vetëm aty, ka ndërprerje të rrugës nga kanale të hapura për shtirjen e paligjshme të ujit të pijshëm. Rritja e trafikut rrugor në ditët e festive po krijon një kaos të vërtetë, ku shkaktari kryesor mbetet rrugët e prishura në pothuajse gjithë akset kryesore të Durrësit.
A. Ajazi
Kaos në kryqëzimet e Durrësit, mungojnë semaforët
Durrësi prej afro 9 vitesh po vuan mungesën e semaforëve, apo më saktë shkeljen ligjore të një firme private, e cila pasi mori plot 150 mijë dollarë asokohe, vendosi disa pajisje skandaloze, duke çoroditur më keq trafikun në rrugët e kryqëzimet e qytetit. Pas Tiranës, Durrësi mbetet qyteti i dytë në Shqipëri për sa i përket trafikut të makinave dhe mjeteve të rënda. Sipas statistikave policore, çdo ditë të zakonshme qarkullojnë në rrugët e Durrësit dhe ato portuale mbi 28-30 mijë makina, kurse në ditët e fluksit veror dhe dimëror mbi 50 mijë të tilla. Por nevoja urgjente e vendosjes së semaforëve dhe ndërtimit të rrugëve të brendshme, ka rritur javët e fundit edhe tensionet mes Bashkisë së Durrësit dhe Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë e Policisë së Qarkut. Kjo, pasi ende nuk është përcaktuar “fajtori” i semaforëve, kur ai dihet nga të gjithë, pasi ende nuk i është kërkuar llogari atij se përse ka shkaktuar kaos me semaforët e përdorur që ka instaluar dhe shkeljet ligjore të punimeve të kryera në sinjalistikën e rrugëve dhe kryqëzimeve të qytetit. Kjo ka sjellë që prej disa javësh bashkia dhe Qarkullimi Rrugor të nisin akuzat e ndërsjella, duke kaluar përgjegjësinë ligjore të prishjes dhe mosfunksionimit të semaforëve sa tek njëra tek tjetra, dhe jo tek firma e cila duhet paditur penalisht. Semaforët e Durrësit prej vitesh nuk punojnë në asnjë kryqëzim e rrugë, duke u bërë burim aksidentesh deri me pasoja për jetën e kalimtarëve dhe qytetarëve të lagjeve pranë këtyre nyjeve rrugore. Në bashki deklarojnë se “sinjalistika rrugore është në varësi të Inspektoratit të Policisë Rrugore”, kurse Qarkullimi Rrugor e kalon përgjegjësinë tek bashkia. Në kryqëzimin pranë stacionit të Shkozetit, tek Ura e Dajlanit, pranë Rrotës së Qerres, në disa pika përgjatë rrugës së Plazhit, pranë kryqëzimit të stadiumit “Niko Dovana”, tek rruga e re në Kënetë dhe në disa pika të tjera semaforët kanë mbetur në gjendje pasive. Bllokimi i semaforëve ka paralizuar trafikun, ndërsa nga ana tjetër ka shkaktuar incidente dhe aksidente të shumta. Efektivat e Policisë së Qarkullimit Rrugor kanë mundur të patrullojnë dhe të mbulojnë me shërbime së paku në dy turne vetëm katër nga kryqëzimet, kurse tek semaforët e tjerë prania e policisë është vënë re në rastet e aksidenteve. Sipas statistikave të Qarkullimit Rrugor, dërguar në Drejtorinë e Policisë Qarkut mësohet se 70 për qind e aksidenteve ndodhin në kryqëzim apo fare pranë tyre nga mungesa e sinjalistikës. Policia disa herë e ka pasur të vështirë të fajësojë palët në konflikt lidhur me ndonjë aksident, pasi nuk ka mundur asnjëherë të kuptojë se cili ka pasur të drejtë kalimi dhe cili duhej të priste kalimin e tjetrit. Rrethrrotullimi tek Ura e Dajlanit dhe në Shkozet ka ulur ndjeshëm numrin e aksidenteve, duke shtyrë policinë të mendojë për të ndërmarrë zgjidhjen e duhur. Dhjetëra viktima gjatë vitit 2009 janë regjistruar vetëm në kryqëzime rruge brenda në qytet, të cilat janë shkaktuar vetëm nga mosfunksionimi i semaforëve. Ndërsa policia dhe bashkia kanë nisur pa ndërprerë akuzat mes tyre, numri i viktimave të aksidentuar është më i madh duke i bërë këto kryqëzime si shumë problematike. Efektivat e Policisë së Qarkullimit Rrugor mendojnë se zgjidhja e vetme mbetet ndërtimi i rotondove si e mundshme për të ulur rastet e aksidenteve dhe për të shmangur ndjeshëm viktimat. Bashkia ka lënë mënjanë miliona lekë të planifikuar për riparimin e semaforëve, por realisht semaforët nuk kanë qenë në gjendje pune as në verë e as në dimër. Madje, kjo është ndier shumë në kohën e pikut të ardhjes së emigrantëve me rastin e pushimeve stinore në verë dhe në ndërrimin e viteve. Shefi i Qarkullimit Rrugor në Durrës, Xhemal Lushaj, deklaroi se “vendosja e sinjalistikës mbetet nevojë urgjente, çdo vonesë e saj shkakton viktima dhe merr jetë njerëzore”.