Durrës, sekuestrohen 27 kg drogë, në pranga 2 persona

Policia e Durrësit ka bërë të mundur sekuestrimin e 27 kg e 568 gramë lëndë narkotike ndërsa ka arrestuar edhe dy persona. Burime nga policia bëjnë me dije se droga është sekuestruar në Portin e Durrësit ndërsa janë arrestuar shtetasit Agron Budini 52 vjeç dhe Kozeta Zace 33 vjeç të cilët po trafikonin drogën drejt Italisë.
Sipas policisë, në automjetin me targa AA 875 DS, i drejtuar nga shtetasi Agron Budini ku si pasagjere udhëtonte edhe shtetasja Kozeta Zace, u gjetën 45 pako të përmasave të ndryshme me përmbajtje lënde të dyshuar si narkotikë e llojit kanabis sativa.
Nga verifikimet rezultoi se automjeti në fjalë do të udhëtonte në drejtim të Italisë.
Krahas lëndës narkotike e cila do t`i nënshtrohet ekzaminimit laboratorik, në cilësinë e provës materiale u sekuestrua automjeti, një telefon së bashku me kartën SIM dhe shuma prej 820 Euro.
Hetimi po vijon në drejtim të identifikimit të personave të tjerë të përfshirë në trafikimin e lëndës narkotike; si porositësit ashtu edhe personat që kanë bërë sigurimin e saj.