Shkodër, i sekuestrohen 700 mijë euro pasuri trafikantit
Një hetim i nisur nga 2011 ndaj një trafikanti droge në qytetin e Shkodrës është finalizuar me sukses nga Policia e Shtetit, duke bërë të mundur sekuestrimin e pasurisë me vlerë 700 mijë euro. Përmes një deklarate për shtyp Policia bëri të ditur se shtetasit Altin Ndërlita iu sekuestruan 13 apartamente dhe një garazh automjetesh, pasuri të cilat i kishte siguruar sipas policisë në rrugë kriminale përmes trafikimit të drogës. Garazhi kishte sipërfaqen 900 metra katror, ndërsa të 14 pasuritë ishin në emër të tij dhe familjarëve Pashke Podgorica (nëna) dhe Roza Serreqi (tezja).
Ndërkaq policia bën me dije se vendimi për sekuestro preventive ishte dhënë nga Gjykata e Shkodrës, ndërsa konfirmon se shtetasi Ndërlita ishte arrestuar në 2009 në Gjermani për veprën penale të shkeljes së ligjit mbi lëndët narkotike.
Policia bën të ditur gjithashtu se gjatë hetimit ka rezultuar se këto pasuri dyshohet se janë blerë me të ardhura me origjine kriminale të trafikut të narkotikëve, ku i përfshirë ishte shtetasi Altin Ndërlita. Pasuritë e blera ishin regjistruar në emër të familjarëve të tij, ndërsa një pjesë e parave janë qarkulluar jashtë sistemit bankar duke u deklaruar si të ardhura nga emigracioni.