E Diel, 1 Nëntor 2026

Durrës, shfaqet premiera për fëmijë "Çamarrokët"

DURRES- Fëmijët durrsakë kanë patur mundësinë të ndjekin në fundjavë premierën e shfaqjes "Çamarrokët", vënë në skenë nga trupa e teatrit "Aleksandër Moisiu", në bashkëpunim me kompaninë "Princi i vogël". Subjekti i thjeshtë dhe mesazhi që u jepej fëmijëve dhe prindërve tërhoqi në odeonin "Nikolin Xhoja" të pallatit të kulturës dhjetra spektatorë të moshave të ndryshme. Shikuesit e vegjël e ndjenë veten menjëherë miq të aktorëve, e veçanërisht të Ervin Dokos dhe Xhejni Famës në rolet e dy çamarrokëve, protagonistë të kësaj premiere.

Nxitja për t'u shkëputur sadopak nga televizori dhe teknologjitë e reja të komunikimit për t’ju drejtuar lojrave në ajër të pastër ishin pjesë e fabulës së shfaqjes, e cila vetëm gjatë tre ditëve të fundjavës numëroi plot 6 shfaqje. Spektatorët janë të gëzuar që në teatër mund të hyjnë bashkë me fëmijët e tyre të moshave 5-10 vjeç, tha për ATSH-në Aishe Stari, aktore veterane e këtij teatri, e cila interpreton rolin e gjyshes. Sipas znj. Stari ky teatër duhet të jetë i përhershëm dhe të vendosë kontakte të përhershme me fëmijët dhe prindërit e tyre.

Ansamblin e aktorëve pjesmarrës e plotëson më së miri Gjergj Doçi, në rolin e zdrukthtarit, ndërsa kostumografia e Lira Zahirit i afron më shumë shikuesit te personazhet. Premiera e shfaqjes për fëmijë "Çamarrokët" do të jetë në skenë çdo fundjavë, duke u kthyer në një stacion të ri argëtimi dhe edukimi për të vegjlit.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›