Vranë për pronën, 2 vëllezër në burg

Viktima Rrok Kaçorri
SHKODER Lirohet babai, akuzë për vrasjen në Hajmel dy djemve të tij. Gjykata e Shkodrës caktoi dje masën e sigurisë për vëllezërit Dedë dhe Aleksandër Arra, me akuzën e vrasjes për konflikt pronësie të 55-vjeçarit Rrok Kaçorri dhe plagosjen e nipit të tij, të dielën e shkuar. Babai i tyre, Zef Arra, u la i lirë që në ambientet e policisë, pasi nga provat e mbledhura nuk ka dyshime se është ai autori. Dje në gjykatë, gjyqtarja Isabela Radovani, pasi ka dëgjuar dëshminë e palëve, ka dhënë masën e sigurisë për vëllezërit. Ajo ka vlerësuar të drejtë kërkesën e akuzës së prokurorit të çështjes për të quajtur të ligjshëm arrestin e vëllezërve Dedë dhe Aleksandër Arra, si dhe mbajtjen në gjendje të arrestit me burg të dy të dyshuarve. Gjatë seancës së caktimit të masës së sigurisë, mbrojtja ka kërkuar masa lehtësuese, por kjo kërkesë është hedhur poshtë nga gjykatësja Radovani. Bazuar në provat e Prokurorisë mësohet se të dy vëllezërit Arra kanë marrë pjesë në ngjarjen e rëndë, ku mbeti i vrarë Rrok Kaçorri dhe i plagosur nipi i tij, Zefi. Nga dëshmitë e të akuzuarve është mësuar se shkak i kësaj vrasjeje është bërë një konflikt për çështjen e pronave mes dy familjeve, Kaçorri dhe Arra. Sipas burimeve në Gjykatën e Shkodrës mësohet se vëllezërit kanë treguar se konflikti mes tyre dhe familjes Kaçorri është i vjetër dhe lidhet me shkaqe pronësie mbi një sipërfaqe toke që ndodhet në territorin e fshatit Hajmel. Ata kanë treguar në sallën e gjyqit se debatet për pronësinë, të nisura 20 vite më parë, nuk ishin arritur të zgjidheshin me kompromis e për pasojë situata shkoi deri në këtë pikë. Të dielën e 22 prillit, 55- vjeçari Rrok Kaçorri së bashku me nipin e tij, Zefin, u qëlluan me armë zjarri në qendër të fshatit Hajmel. r.d