Durrës, ulet numri i të papunëve
Në Drejtorinë e Punësimit në Durrës deklaruan se “në shkallë qarku, numri i të papunëve është ulur ndjeshëm dhe sipas statistikave, vetëm në dy muajt e parë 2010, janë punësuar afro 1350 persona në sektorët, si hoteleri, lokale shërbimi, peshkim, firma ndërtimi apo edhe në shoqëri të vogla sipërmarrëse”. E thënë ndryshe, e krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, numri i të papunëve në Durrës, ka pësuar rënie drastike.
Sipas Ermelinda Dollakut: “Pa dyshim mbajtja konstante e këtij problemi dhe mundësia për uljen e numrit të të papunëve ka ardhur falë impenjimit të qeverisë dhe konkretisht të Ministrisë së Punës, por edhe projekteve të punësimit të zbatuara në shkallë qarku, të cilat ashtu si në 4 vitet e kaluara, edhe në 4 vitet që vijnë po gjejnë zbatim projektet konkrete në Durrës”.
Të dhënat
Nga të dhënat statistikore, mësohet se “numri i të papunëve në shkallë qarku ka qenë 5600 në Durrës, kurse sot kemi rreth 3700 të tillë, me tendencë uljen e tyre çdo muaj”. Sipas burimeve nga Zyra e Punësimit Durrës, ende problematike ende mbetet puna me zonat rurale, ku pjesa dërmuese e të papunëve rezulton të jenë banorë relativisht të rinj në qytetin e Durrësit të cilët banojnë në zona informale si ish-Këneta, në rrethinat e Shkozetit apo në kodrat e qytetit. Pjesa dërmuese e tyre nuk zotëron profesione për të cilat tregu i punës ka nevojë ndaj sistemimi i tyre paraqet vështirësi. Ndërkohë, afro 80 për qind e të papunëve janë me arsim 8-vjeçar dhe fillor,17 për qind me arsim të mesëm dhe 3 për qind me arsim të lartë. Një pjesë e tyre shpreson që të sistemohet në punë në 6 muajt e parë të vitit 2010, pasi të nisi edhe zbatimi i projekteve të nxitjes së punësimit po ashtu edhe gjatë sezonit të verës pasi rrjeti hotelier e veçanërisht lokalet do të kërkojnë punonjës për të përballuar nevojat e tyre gjatë stinës së nxehtë. Rreth 180 punonjës do të sistemohen pranë ndërmarrjes së pastrim gjelbërimit të plazhit gjatë sezonit që po afron, madje qysh gjatë muajit mars.
Punësimi
Gjithashtu, në Durrës është edhe një numër prej rreth 250 personash të cilët nuk janë regjistruar në Drejtorinë e Punësimit të cilët do të përfshihen në projektet e nxitjes së punësimit. Drejtoritë vartëse të Ministrisë Punës, tashmë kanë nisur të shtrihen me grupet në zonat rurale, ku sipas informacioneve, mësohet se gjatë muajve në vazhdim do të nisë zbatimi i disa projekteve të cilat synojnë nxitjen e punësimit, dhe ndërgjegjësimin e firmave private për bashkëpunimin me institucionet.