E Diel, 1 Nëntor 2026

Biznesi: Financat, amnisti edhe për qytetarët, jo vetëm për bizneset



Komuniteti i biznesit ka përshëndetur deklaratën e ministrit të Financave për amnisti fiskale ndaj biznesit, por është kundër faktit se në këtë amnisti nuk janë përfshirë dhe qytetarët. Konfindustria, duke shprehur kënaqësinë e pranimit në parim të hapjes së debatit për amnistinë fiskale nga qeveria shqiptare nëpërmjet shprehjes publike nga ministri i Financave, z. Ridvan Bode, njëkohësisht shprehet kundër kufizimit të amnistisë vetëm ndaj bizneseve dhe lënien jashtë të qytetarëve shqiptarë. Konfindustria shpreson se përqendrimi i sqarimit publik të ministrit të Financave në parashikimin e amnistisë fiskale vetëm për kategorinë "biznese" dhe duke mos përmendur përfshirjen në procesin e sipërpërmendur edhe të "qytetarëve" shqiptarë, ishte vetëm një harresë e ndodhur për shkaqe kohore dhe nuk paraqet qëndrim të paracaktuar të ekzekutivit. Konfindustria, me cilësinë e nismëtarit të kryerjes së amnistisë fiskale, shpreh domosdoshmërinë e përfshirjes në proces në mënyrë të njëkohshme të kategorisë së "biznesit" dhe "qytetarëve" pa përjashtim. Parë mënyrën e krijimit të të ardhurave dhe funksionimit të sistemit ekonomik shqiptar në gjithë periudhën kohore 20-vjeçare, mënjanimi nga amnistia fiskale e "qytetarëve" do të thotë praktikisht dështim të procesit ende pa filluar. Qëllimi i ndërmarrjes së nismës ishte pikërisht hapja e një kanali të ri oksigjeni financiar në ekonominë shqiptare, pikërisht në kohën kur pasojat e krizës globale tashmë na kanë prekur ndjeshëm dhe qartë. Janë pikërisht të ardhurat në zotërim në radhë të parë nga qytetarët shqiptarë brenda dhe jashtë vendit dhe që do të mund të futeshin në sistemin tonë bankar dhe ekonomik, që ishin pasur parasysh nga Konfindustria në marrjen e vendimit për nismën e amnistisë fiskale. Duhet të kuptojmë se qytetarët shqiptarë janë pikërisht kategoria, që për vite me radhë nuk u është dhënë mundësia e deklarimit ligjor të të ardhurave të tyre sikurse ndodh në të gjitha vendet demokratike të rajonit dhe BE, ndërkohë që bizneset sidoqoftë e kanë pasur me kohë një mundësi të tillë. Duke shtuar këtu dhe faktin se qëllimi përfundimtar i kryerjes së amnistisë fiskale të vërtetë është hyrja e sa më shumë të ardhurave në sistem, do të ishte krejtësisht i papranueshëm përjashtimi i kategorisë së shtresës më të gjerë të zotëruesve të kapitaleve të "qytetarëve", që mund të formalizohen. Konfindustria, në bashkëpunim me partnerët e saj nga vendet e BE-së me përvojë në fushën e amnistisë fiskale, po përgatit projektin e faljes fiskale, që shpejt do t’i paraqitet institucionalisht qeverisë shqiptare dhe publikut në përgjithësi. Projekti i Konfindustrisë ka si një nga shtyllat kryesore përfshirjen në proces në mënyrë të njëkohshme të qytetarëve dhe biznesit pa përjashtim. Vetëm në këtë mënyrë do të shpresojmë se mund të kryejmë një proces të suksesshëm dhe me vlerë për mbështetjen e ekonomisë kombëtare në tërësi në çastet e vështira që po kalojmë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›