Gjykata e Lartë, Alketa Hazizaj nuk e fal Mediun
Alketa Hazizaj refuzon pajtimin me ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu. E plagosur ditën e shpërthimit të fabrikës së demontimit në Gërdec, vajza nuk e ka pranuar dje faljen e ish-ministrit, e përcjellë në seancë përmes dy avokatëve të tij, Ardian Visha dhe Petrit Serjani. Po të njëjtën gjë ka bërë një seancë më parë edhe 12-vjeçari Roxhers Durda, i cili i gjendur përballë me z. Mediu në sallën e gjyqit nuk e pranoi ndjesën e tij. Në përfundim të momentit të refuzimit të pajtimit, Kolegji Penal në Gjykatën e Lartë ka vendosur të bashkojë dy paditë, atë të Roxhers Durdës dhe Alketa Hazizajt, duke e shtyrë për më 1 mars seancën e radhës. Shkak i shtyrjes së procesit për në këtë datë ka qenë mungesa e disa provave të pretenduara në padi nga paditësit, të cilat ose gjendeshin gjysma ose nuk ndodheshin fare në kërkesë-padi. Kryesuesi i Kolegjit Penal u ka kërkuar paditësve, të cilëve u bie dhe barra e provës për të paraqitur provat në gjykatë, që të paraqesin deri më 1 mars të gjitha provat ose më mirë aktet origjinale me të cilat pretendojnë të provojnë akuzat ndaj ish-ministrit. Pas shqyrtimit të këtyre provave, Gjykata e Lartë do të vendosë për ligjërimin ose jo të kërkesës për heqjen e imunitetit për z. Mediu. Në seancën e djeshme nuk ka qenë vetë i pranishëm i padituri, i cili u përfaqësua nga dy avokatët e tij, ndërkohë që nuk kanë munguar dy paditësit, familjarët e tyre, por edhe familjarë të tjerë të viktimave të tragjedisë së Gërdecit. Trupi gjykues gjatë seancës së djeshme të pajtimit, e cila zgjati për gati 2 orë, u kryesua nga Andi Çeliku, ndërsa në përbërje të tij ishin gjyqtarët Ardian Nuni, Irma Bala, Evgjeni Sinoimeri dhe Evelina Qiriako. Roxhers Durda dhe Alketa Hazizaj akuzojnë ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu, për "plagosje të rëndë nga pakujdesia", duke kërkuar nga Gjykata e Lartë heqjen e imunitetit dhe hetimin dhe gjykimin e tij për këtë akuzë. Pas paraqitjes së provave nga ana e paditësve, të cilët i kishin dorëzuar më parë ato në gjykatë, por që nuk i kishin me vulat përkatëse, gjykata do të vendosë nëse ka elementë për një akuzë ndaj ish-ministrit, e cila ligjëron edhe kërkesën drejtuar Kuvendit të Shqipërisë për heqje imuniteti.
Gjyqi
Në Gjykatën e Tiranës për të dytën herë rresht është shtyrë procesi në ngarkim të 29 të pandehurve të akuzuar për tragjedinë e Gërdecit. Gjyqi zhvillohej paralelisht me procesin që po zhvillohej në Gjykatën e Lartë, ku ishin duke u shqyrtuar dy paditë kundër ish-ministrit Mediu. Seanca e djeshme u shty për mungesë të dy avokatëve, të cilët u bënë sërish shkak që të mos dëgjohen as dje dëshmitë e 10 dëshmitarëve, ish-punonjës së akuzës, të thirrur nga akuza për të folur rreth ditës së tragjedisë së Gërdecit. Po e njëjta situatë është paraqitur edhe një seancë më parë në këtë proces, ku mungonin dy avokatë, një prej të cilëve, avokati i Mihal Delijorgjit dhe në të njëjtën kohë edhe kreu i Dhomës Kombëtare të Avokatisë, Maks Haxhia. Gjatë një seance më parë, kryesuesi i trupës gjyqësore nuk ka përgatitur asnjë shkresë drejtuar Dhomës Kombëtare të Avokatisë, pasi mungonte vetë kreu i saj, ndërkohë që dje ka njoftuar se dy avokatët që u bënë shkak për shtyrjen e seancës do të zëvendësohen nga avokatë kryesisht.
Somario
Pas shqyrtimit të këtyre provave nga paditësit, Gjykata e Lartë do të vendosë për ligjërimin ose jo të kërkesës për heqjen e imunitetit për z. Mediu