E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës, universitetit i shtohen 3 degë të reja

 

Fakulteti i Studimeve të Integruara me Praktikën, në Durrës, për të tretin vit radhazi do të përgatisë specialistë të lartë me diplomë të të njëjtit nivel (Diplome e Nivelit të Parë DNP). Bëhet fjalw në këto tre degë, Menaxhimi i Bankave, Menaxhim i Ndërmarrjeve të Mesme dhe të Vogla (SME) dhe Menaxhimi i Turizmit.

Zëvendësrektori i Universitetit "Aleksandër Moisiu", Mithat Mema tha se “Qeveria shqiptare tashmë ka shpallur hapjen e një Fakulteti të ri pranë Universitetit të Durrësit sipas eksperiencës së Akademisë Profesionale të aplikuar në Landin e Baden-Wurttemberg (Gjermani)".

Ai tha se procesi mësimor në Fakultetin e Studimeve të Integruara me Praktikën do të përmbushë standardet gjermane. Programet e studimeve do të akreditohen jo vetëm nga Agjencia Kombëtare e Akreditimit të Arsimit të Lartë në vendin tonë, por dhe nga një Agjenci Gjermane e Akreditimit të Arsimit të Lartë. Ky fakt bën të mundur njëvlefshmërinë e kësaj diplome me ato të lëshuara nga universitetet gjermane. Dr. Mema tha se megjithë ndryshimet të ndodhura në sistemin e arsimit të lartë në këto 17 vite, të cilat kanë synuar në përafrimin e tij me sistemin e arsimit të lartë europian, gjithmonë shtrohen një seri pyetjesh, që lidhen me përgatitjen e studentëve të diplomuar në profesione të ndryshme përballë nevojave të biznesit dhe në ndikimin që ka vetë biznesi në formulimin e kurrikulave të studimeve universitare.

Sipas Memës, praktika e deritanishme ka treguar se Arsimi i Lartë nuk është ende i aftë t'i përgjigjet nevojave të biznesit dhe zhvillimit të ekonomisë private me përgatitjen e specialistëve të aftë për të përballuar keto ndryshime strukturore të ekonomisë shqiptare.

"Ne gjendemi përballë një situate të tillë, ku diplomohen specialistë të përgatitur nga pikëpamja teorike, por pa përvojë praktike të ushtrimit të profesionit të tyre", tha Mema. Në këto kushte sektori privat apo publik gjendet përballë nevojës së trajnimit të këtyre specialistëve me elemente praktike të ushtrimit të profesionit, trajnim ky që në fund të fundit konvertohet në kosto financiare për këto sektorë.

Gjithashtu një veçori thelbësore e këtyre universiteteve qëndron dhe në faktin e implementimit të nevojave që ka biznesi privat në kurrikulat e përgatitjes së studentëve. Sipas kësaj përvojë të suksesshme, aktualisht në këtë sistem në Gjermani mësojnë më shumë se 35 % e studentëve të Gjermanisë. Studentët do të jenë 20 javë duke punuar drejtpërsëdrejti në bizneset që do të involvohen në këtë proces. Një tregues tjetër i suksesit të kësaj forme qëndron në faktin se mbi 90 % e të diplomuarve në këto universitete punësohen menjëherë me përfundimin e studimeve.

Sipas Memës, bizneset shqiptare do të përfitojnë specialistë të përgatitur teorikisht dhe praktikisht, të aftë për të marrë përsipër përgjegjësi dhe nga ana tjetër jo vetëm do të shkurtojnë kostot e rekrutimit të personelit, por dhe do të rrisin cilësinë e personelit që ato do të punësojnë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›