E Shtunë, 31 Tetor 2026

Puna që zgjatet, bëhet gjarpër e të kafshon

 

 

Greva e urisë së viktimave të krimit shtetëror të Gërdecit e kaloi javën. Ndërkohë që “Qeveria e Shërbesave” nuk ka denjuar as të vizitojë të ngujuarit për të dëgjuar dy fjalë për hallin që i ka zënë (për faj të saj).

A ishte Kryeministri ai që i përgjigjej vetë telefonatave të qytetarëve që ankohen, apo ishte dhe ajo fotoja me receptorin të veshi një shoë-hipokrizie si gjithçka tjetër?

Dje isha në Vorë, ku mes të tjerëve takova dhe një 13-vjeçar që ka humbur në shpërthim vëllanë e madh, e tash ka mbetur nën qiell të hapur. Ai dridhej nga pezmi... Kur je i varfër dhe i pafuqishëm, ky shtet të vret, të tall, të harron si qen. Sjellje prej “Bully” - harbutëri therëse… E u dashka që meqë Kryeministri s’çan kokë për Gërdecin, Gërdeci të vijë tek Kryeministri - si Mali te Muhamedi - se helbete ka punë, do elektrobërthamojë Shqipërinë superfuqi energjike të halucinacioneve të tij.

Opozita nga ana tjetër ka shkuar me pushime në Paturpësi-Plazh, Llum, Shqipëri - i bie andej nga gjiri… sa turp! Sa turp dhe për ne!

Prandaj, ejani o burra dhe gra, solidarizohuni përpara Kryeministrisë. Përpara Kryeministrisë shurdhmemece. Lërini do “punë të rëndësishme” dhe ejani, se nuk ka më të rëndësishme punë se kjo. Mos e harroni Gërdecin, apo ca më keq, mos neglizhoni me përbuzjen që po u bëhet këtyre, se kjo përbuzje na drejtohet të gjithëve... Sepse, siç e dëgjova dje në Vorë, “puna që zgjatet bëhet gjarpër e të kafshon” - e nëse nesër shteti të godet ty, do gjendesh fare fillikat, e do kujtosh gërdecarët, e do kuptosh mandej se në një vend ku populli nuk solidarizohet me popullin, edhe qentë kanë një fat më të mirë.

 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›