Elbasan, devijime dhe mbulime të trotuareve me materiale inerte
Jo rrallëherë sheh që në rrugët e qytetit të Elbasanit, këmbësorët të ecin në të njëjtën rrugë me makinat, duke rënduar edhe më shumë qarkullimin rrugor kaotik e shpeshherë të mbingarkuar.
Kjo nuk ndodh nga papërgjegjshmëria e qytetarëve elbasanas, apo mungesës së trotuareve posaçërisht për këmbësorët. Por kjo ndodh nga papërgjegjshmëria e atyre që mbulojnë me materiale inerte trotuaret, bllokojnë dhe devijojnë me makineritë e tyre qarkullimin në pjesë të ndryshme të rrugës, duke i spostuar kështu këmbësorët në mes të rrugës, së bashku me makinat. Kjo çon në rritjen e rrezikut të ndodhjes së aksidenteve dhe ngadalësimin e qarkullimit rrugor në rrugët e qytetit.
Këto devijime, mbulime të trotuareve me materiale inerte, i gjen të pranishme kudo përgjatë rrugës “Rinia” e cila të çon drejt Universitetit “Aleksandër Xhuvani” gjithashtu dhe në rrugën paralel me të, atë që të çon drejt Maternitetit, Kirurgjisë dhe konviktit të studentëve. Megjithëse këta ndotës sjellin shqetësime dhe pasiguri tek këmbësorët, duke uzurpuar hapësirat publike të destinuara për ta, nuk marrin as me të voglin mundim që të vendosin sinjalitikën e duhur për të paralajmëruar si këmbësorët dhe shoferët e automjeteve për devijimin e kryer. Por, përkundrazi depozitojnë për muaj të tërë mbi trotuare rërë, zhavorr, hekur, mbeturina inerte, makineritë e tyre, duke rrezikuar kështu aksidentimin e mundshëm të kalimtarëve të rastit. Këto depozitime të materialeve inerte ndotin dhe shtojnë më tej mbeturinat në ambientin përreth.
Jo vetëm kaq, por zaptojnë dhe vendet për parkimin e automjeteve, duke i zvogëluar edhe më tej hapësirat për parkimin e automjeteve të shumta në Elbasan dhe duke i kthyer trotuaret dhe vendet e parkimit në pronën e tyre private.
Për aq kohë që Bashkia dhe Policia e Ndërtimit nuk reagon, por shkel vetë mbi pirgjet e rërës dhe bëhen pis nga ndryshku i hekurit, ashtu dhe qytetarët elbasanas do vazhdojnë të ecin mes rërës, hekurave dhe makinave duke rrezikuar aksidentimin.