Durrës, vetëvaret me kabëll elektrik 11-vjeçari
Durrës- Një fëmijë në Sukth të Durrësit i ka dhënë fund jetës, duke u vetëvarur, sepse nuk e kishte lënë e ëma të luante me shokët.
Ngjarja e rëndë ndodhi në mbrëmje, kur fëmija E. S. 11-vjeç nga fshati Sukth i Durrësit, banor në lagjen që njihet me emrin Stallë vendosi të vetëvritej në shenjë rebelimi.
Sipas burimeve zyrtare të policisë, fëmija ka dashur të luajë me shokët në orët e pasdites, por e ëma mësohet se nuk e ka lënë, nisur nga përkujdesja e madhe ndaj djalit. Familja, sipas policisë ishte me origjinë nga Golloborda dhe e zbritur në Sukth prej disa kohësh.
Të afërm të familjes bëjnë me dije se i ati i djalit është emigrant në Itali dhe që andej dërgon të ardhura me të cilat mban gruan dhe fëmijët. Familja me tre fëmijë, tani ka mbetur vetëm me një djalë e një vajzë.
Nuk dihen ende detaje rreth ngjarjes së rëndë, pasi e ëma është dërguar me urgjencë në spital në gjendje të fikëti, sapo ka parë trupin e djalit të varuar në shtëpi. Mësohet se ka qenë ajo që e ka gjetur të varuar dhe nuk ka mundur të bëjë dot asgjë. Ai është dërguar në spital, por mjekët e kanë përcjellë në morg, pasi djali ka qenë i pajetë.
Sipas policisë, që mbërriti në vendin e ngjarjes, fëmija ishte varur në banesë me një kabëll elektrik, të lidhur rreth qafës. Hetimet, sipas saj do të vazhdojnë deri në zbardhjen e plotë të ngjarjes.